Sport

Antonio Conte te Milani? Reagon Stefano Pioli për herë të parë…

Milani do të përballet në transfertë me Frozinonen nesër në orën 18:00 në “Benito Stirpe”, dhe në prag të këtij dueli trajneri i kuqezinjve, Stefano Pioli ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp. Ai u ndal tek thashethemet që Antonio Konte mund të ulet në pankinën e Milanit në sezonin e ardhshëm.

Nuk më shqetëson aspak, më mërzit pak, por kjo është krejt normale në futbollin modern… Dy kolegë njoftuan 5 muaj më parë braktisjen e pozitave prestigjioze. Ajo që ka rëndësi është që lojtarët e mi dhe unë duam të demonstrojmë vlerën tonë deri në fund të sezonit, pastaj do të shohim.

Rikujtojmë se së fundmi u përfol në media që Zlatan Ibrahimovic e konsideron Antonio Conten zëvendësuesin ideal të Stefano Piolit dhe do të ketë një rol kyç në negociatat me ish-trajnerin e Juventusit dhe Interit. Kontrata e Piolit me Milanin skadon në vitin 2025, por burime të shumta në Itali pohojnë se nuk ka gjasa që trajneri i lindur në Parma të mbetet në krye të kuqezinjve sezonin e ardhshëm.
Conte është shfaqur si kandidati kryesor për këtë rol dhe sipas një raporti të ri nga gazeta La Repubblica, ish-trajneri i Interit dhe Juventusit shihet si zëvendësuesi ideal për Piolin.

Drejtori i ri, Ibrahimovic thuhet se është një fans i madh i Contes dhe është në marrëdhënie të mira me trajnerin fitues të Serie A, edhe nëse kjo nuk do të thotë se 54-vjeçari me siguri do të zëvendësojë Piolin sezonin e ardhshëm. Paga dhe kërkesat e tij të majme në afatin kalimtar, si dhe ngurrimi i tij për të parë largimin e njërit mes Mike Maignan, Theo Hernandez dhe Rafael Leao në qershor, thuhet se janë ‘pengesë’ në negociata, edhe nëse Conte dëshiron fuqimisht të kthehet në Serie. Sipas raportimeve të fundit, Thiago Motta, Raffaele Palladino, Roberto De Zerbi dhe madje edhe Jurgen Klopp do të konsiderohen nga Milani nëse Conte refuzon të nënshkruajë për kuqezinjtë.