Bota Botë e Çuditshme

Arrestohet djali i ish-agjentit të famshëm të Hollivudit!

Policia e Kalifornisë ka arrestuar djalin e një agjenti të famshëm në Hollivud, pasi kraharori i prerë i një gruaje është gjetur në koshin e plehrave pranë banesës së tij. Samuel Haskell Jr., 35 vjeç, u vu në pranga pasi dyshohet se ka vrarë gruan e tij, Mei Haskell, e cila është zhdukur dhe hetuesit dyshojnë se kraharori i gjetur i përket asaj.

Gjithashtu, edhe prindërit e gruas, të cilët jetonin në një vilë 2,5 milionë dollarëshe me çiftin dhe 3 fëmijët e tyre, janë zhdukur. Policia është vënë në kërkim të babait Gaoshan Li, 72 vjeç dhe nënës YanXiang Wang, 64 vjeç. Babai i 35-vjeçarit të dyshuar për krimin e trefishtë ka qenë një agjent i famshëm në Hollivud, klientët e të cilit kanë qenë emra si Dolly Parton, George Clooney dhe Whoopy Goldberg.

Haskell Sr. është gjithashtu një ish-kryetar i bordit të Organizatës Miss America dhe aktualisht është themelues dhe president i Magnolia Hill Productions, ku në partneritet me Dolly Parton ka prodhuar filma televizivë për NBC, mes një morie përmbajtjesh të tjera. Ndërkaq, policia është gjithashtu në kërkim të dy automjeteve të zhdukura, një VW Tiguan i bardhë dhe një Nissan Pathfinder i bardhë i vitit 2014.