Aktualitet Rajoni

Arrestohet një person për zjarrvënie të qëllimshme në Zubin Potok!

Një person është arrestuar nën dyshimin se ia vuri flakën qëllimisht një lokalit në qytetin verior të Kosovës, Zubin Potok, të shtunën mbrëma, njoftoi Policia e Kosovës.

Policia tha të dielën se arrestoi të dyshuarit në orët e hershme të mëngjesit, duke e parandaluar atë nga përpjekjet për t’ia vënë zjarrin edhe shtëpisë së pronarit të lokalit të djegur në rrugën “Kolasinski Knjezeva” në Zubin Potok.

Përveç dëmeve materiale, policia theksoi se nuk ka të lënduar nga zjarri.

Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur një uniformë ushtarake, një radiolidhje dhe 22 aparate për prodhimin e kriptovalutave, sipas saj.

Zjarri u lokalizua fillimisht nga zyrtarët policorë – që gjendeshin në sigurim të objektit komunal në Zubin Potok – së bashku me pronarin e lokalit, derisa në vend të ngjarjes doli njësia e zjarrfikësve.

“Policia e Kosovës me datë 09.12.2023, rreth orës 23:00, është njoftuar se në afërsi të Kuvendit Komunal në Zubin Potok një lokal ka marr flakë dhe është duke u djegur. Sipas informacioneve fillestare, hetimeve preliminare policore dhe dëshmive të gjetura nga policia në vendin e ngjarjes dyshohej se zjarri është shkaktuar qëllimshëm”, thuhet në një komunikatë të Policisë.

Motivet e zjarrvënie, sipas policisë, dyshohet se burojnë nga një mosmarrëveshje familjare.

“Dyshohet se i dyshuari këto veprime i ka marrë ndaj pronave të familjes së gruas së tij, si pasojë e një mosmarrëveshje paraprake me gruan, pasi që kjo e fundit ishte larguar nga shtëpia dhe kishte shkuar që të jetojë në familjen e vet”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka vendosur që i dyshuari të mbahet në paraburgim dyditor.