Aktualitet Politikë

Bashkëpunimi me opozitën, Rama: “Berisha e Basha pa legjitimitet”

Ndërsa Partia Demokratike po kalon momente të vështira që kanë çuar në përçarje e sot kulmuan me vendimin e Kryesisë për të përjashtuar Berishën si anëtar, kryeministri Rama e cilëson “dramatike” gjendjen ku ndodhet aktualisht Partia Demokratike. Berishën e Ramën i cilëson dy kufoma politike, që kanë marrë peng demokratët dhe po kacafyten për interesa vetjake.

Ne nuk jemi këtu në kacafytje për interesa vetjake, siç ndodh me të dyja kufomat e PD-së që kanë marrë peng të gjithë demokratët duke u kacafytur me njëri-tjetrin. Dhe është një kacafytje që bën që asnjëri të mos e lëshojë tjetrin se po ra njëri bie edhe tjetri. Njëri qëndron i mbyllur në selinë blu ndërsa tjetri i kyçur në listën e zezë. Eshtë moment shumë dramatik për demokratët. Uroj shumë që demokratët të dalin nga kjo situatë duke i kapërcyer të dyja këto kufoma dhe duke ecur para!

I pyetur nga gazetarët mbi bashkëpunimin me opozitën, Rama tha se “gjithçka mbetet për t’u parë”.

Sigurisht, të dy këta përfaqësues të mbetur nga e shkuara në këmbë nuk kanë asnjë legjitimitet veç e veç. Sigurisht që deputetët e PD-së, pavarësisht njërit apo tjetrit prijës janë legjitim se janë aty me votën e popullit. Për sa kohë ne do të shohim se ka shans për bashkëpunim e bashkërendim, ne jemi aty për ta bërë këtë. Situata është jashtëzakonisht e vështirë për momentin. Të shohim si do zhvillohet. Uroj që dhuna që pamë dhe fortifikimet nga ana tjetër të marrin fund. Por, janë dy anë të së njëjtës medalje.

Referuar ngjarjeve të 8 janarit, kryeministri shtoi se “Policia e Shtetit ishte në sfidën e vetë më të vështirë të këtyre 30 viteve”.

Kurrë më parë Policia e Shtetit nuk e ka pasur sfidën të futet në oborrin e një partie për të ndarë dy palë. E ka ushtruar këtë detyrë me qetësi e profesionalizëm për t’u admiruar. Në fakt mund të lajmërohej më parë Policia e Shtetit për ta mbrojtur godinën dhe nuk do të kishte pasur dhunë. Faktikisht Lulzim Basha disa herë, në mënyrë të përsëritur dhe në vijim bëri atë që nuk mund të bëjë kurrë dikush që ka sensin e përgjegjësisë ndaj njerëzve, ligjeve të vendit, duke bërë fortifikime në vend që qartësisht të fliste për nevojën të mbrohej nga Policia e Shtetit. Duke përjashtuar Policinë e Shtetit, ata faktojnë se janë të ngjashëm si dy pika uji. Dy kufoma politike, e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë.

Kryeministri Rama foli pas mbledhjes së Kryesisë ku pjesë e diskutimit ishte ripërtëritja e PS-së me të rinj dhe mbledhja e Kongresit ku do të paraqesë sfidat për 4 vitet e ardhshme. Në Kongresin e 29 janarit priten ndryshime statutore.