Sport

Belgjikë-Portugali, sonte në 21:00 ndizet faza e 1/8-ave në Euro2020

Sot në mbrëmje mbyllet gjysma e sfidave me eliminim të drejtpërdrejtë përsa i përket fazës së 1/8 dhe privilegjin për të luajtur në orën 21:00 do ta kenë skuadrat përfaqësuese të Belgjikës dhe Portugalisë. Bëhet fjalë për dy nga pesë vendet e para të botës në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s dhe kurioz është fakti që këto dy ekipe kombëtare do të përballen për herë të parë në histori në fazën finale të një aktiviteti madhor.

“Djajtë e kuq” vazhdojnë të kryesojnë renditjen botërore, përpara Francës, Brazilit dhe Anglisë, ndërsa ekipi luzitan pozicionohet për momentin në vendin e pestë, duke mbajtur prapa vende si Spanja, Italia apo dhe Argjentina. Ashtu si skuadra “azzurre” edhe “le diables rouges” mbërritën deri në fazën e 1/8 duke i fituar që të gjitha sfidat në dispozicion.

Pra pasi fitoi fillimisht në Grupin I 10 takimet në fazën eliminatore me golaverazhin e jashtëzakonshëm 40-3, skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez mposhti gjithashtu edhe në fazën hapëse të edicionit të 16 të kampionatit evropian me radhë Rusinë, Danimarkën dhe Finlandën, duke shënuar 7 gola dhe pësuar vetëm një, atë me bardhekuqtë në Copenhagen. Pas golit të shënuar që në start nga Yussuf Poulsen në Parken Belgjika u dominua në fraksionin hapës si rrallëherë dhe përfaqësuesja daneze nxorri në pah probleme serioze në mbrojtjen e ekipit që drejtohet nga trajneri spanjoll.

“Djajtë e kuq” ia dolën për të barazuar fillimisht rezultatin në pjesën e dytë, pas futjes në fushë të mesfushorit Kevin De Bruyne, ndërsa në vijim Roberto Martinez i dha hapësirë gjithashtu edhe dyshes Eden Hazard – Axel Ëitsel, që influencoi në përmirësimin e mëtejshëm të lojës, deri në shënimin e golit të fitores.

Në dy sfidat e para ylli i ndeshjes u shpall Romelu Lukaku, ndërsa në takimin e tretë ndaj Finlandës një cmim të tillë e meritoi Kevin De Bruyne. 28-vjecari me origjinë nga Kongo konsiderohet si një ndër futbollistët më të mirë të këtij evropiani dhe sulmuesi i Interit ka shënuar tre gola në tre ndeshjet e para të fazës së grupeve.

Këtë herë 47-vjecari katalanas nuk do të ketë në dispozicion vetëm mbrojtësin e Leicester City-t Timothy Castagne, ndërsa në krahun tjetër pasi humbi përpara evropianit mbrojtësin Joao Cancelo trajneri Fernando Santos ka me probleme dy mbrojtësit e tjerë Nelson Semedo e Nuno Mendes, por gjithashtu edhe mesfushorin Danilo Pereira. Nga ana e tyre kampionët në fuqi u kualifikuan për në këtë evropian, duke u renditur të dytët në sfidat eliminatore të Grupit B, me 3 pikë më pak se sa Ukraina.

Aventura e mbrojtjes në “grupin e hekurt” nisi me një fitore të mundimshme, duke patur parasysh që përfaqësuesja maxhare e mbajti për plot 83’ skuadrën luzitane në shifrat 0-0. Mjaftoi një top i devijuar dhe në ato pak minuta të mbetura Cristiano Ronaldo shënoi dy herë në portën hungareze, për të merituar edhe cmimin ylli i ndeshjes.

Në takimin e dytë Portugalia u dominua në mënyrë të habitshme nga Gjermania dhe veterani Fernando Santos u shtrëngua për të kërkuar falje, duke marrë përsipër edhe fajin për zgjedhjet e cuditshme apo dhe interpretimin e habitshëm të takimit në aspektin taktik.

Në ndeshjen përmbyllëse të Grupit F portugezët zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, megjithatë 11-metërshi tepër i diskutueshëm që akordoi në fundin e pjesës së parë spanjolli Mateu Lahoz ndryshoi përkohësisht rrjedhën e lojës, ndërsa goli i dytë i realizuar nga sulmuesi i mirënjohur francez Karim Benzema i futi të dridhurat skuadrës luzitane, duke i mbajtur madje për 13’ kampionët në fuqi jashtë këtij evropiani. Dy golat e shënuar nga Cristiano Ronaldo e ngjitën CR7 në krye të listës së golashënuesve, me 5 gola, për ta barazuar kështu futbollistin legjendar portugez me iranianin Ali Daei.

Pasi kaloi gjithashtu edhe sulmuesin gjerman Miroslav Klosen si lojtari më rezultativ me 21 gola në aktivitetet madhore, evropian plus botëror, Cristiano tashmë numëron plot 14 gola në aktivitetin më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër, pra 5 më shumë se sa i madhi Michel Platini. Në këtë mënyrë Portugalia u largua nga Anglia, duke kaluar në pjesën e sipërme të shortit, ku formula e këtij edicioni e përball formacionin luzitan me një skuadër tepër të fortë, sic është Belgjika.

Portugalia merr pjesë për herë të tetë në një kompeticion të tillë, ndërsa Belgjika vetëm për herë të gjashtë. “Djajtë e Kuq” ia dolën për t’u kualifikuar me sukses për të pestën herë radhazi në fazën e knock out-it të një aktiviteti madhor, ndërsa në evropian Belgjika krenohet me finalen e humbur në vitin 1980 në Itali, kur Gjermania Perëndimore triumfoi 2-1 falë golave të shënuar nga sulmuesi Horst Hrubesch.

Nga ana tjetër përfaqësuesja luzitane mund të kishte dy Kupa Henry Delaunay, por në vitin 2004 në evropianin që zhvilluan vetë portugezët u mundën dy herë nga Greqia e Otto Rehhagel-it, një herë në fazën e grupeve dhe në rastin tjetër pikërisht në finalen e madhe të Lisbonës. 4 nga 7 golat e realizuar Belgjika i ka shënuar pas 70’, ndërsa mbrojtja ndonëse konsiderohet si reparti më problematik ia ka dalë për të ruajtur të paprekur rrjetën në 2 nga 3 sfidat e këtij evropiani.

Humbja e pësuar me Anglinë në Wembley tetë muaj më herët në Ligën e Kombeve është e vetmja për skuadrën e Roberto Martinez-it në 26 takimet e fundit, ndërsa portugezët nga ana e tyre përpara se të mundeshin nga Gjermania në 16 ndeshjet e mëparshme ishin mposhtur vetëm nga Franca në “da Luz” në UEFA Nations League, nëntorin e kaluar. Në evropianin e fundit, nën drejtimin e trajnerit Marc Wilmots “djajtë e kuq” u eliminuan në Stadiumin e Lilës nga “dragonjtë” e Uellsit, pas humbjes 3-1 në fazën cerekfinale. Pas duelit të shumëpritur Angli – Gjermani ky konsiderohet edhe si cifti më i fortë i këtij evropiani në fazën e 1/8.

Portugalia ka fituar në vitin 2007 4-0 në Jose Alvalade të Lisbonës dhe 2-1 në Bruksel dy sfidat e fundit kompetitive ndërmjet dy vendeve, në eliminatoret e europianit austriako–helvet, por mbi të gjitha ekipi luzitan nuk njeh humbje në 5 takimet e fundit dhe prej plot 32 vjetësh në ndeshjet ndërmjet tyre.

Dueli Belgjikë–Portugali do të mbahet në orën 21:00 në Stadiumin La Cartuja të Seviljes dhe do të drejtohet nga kryesori gjerman Felix Brych, ndërkaq portugezët udhëheqin minimalisht 6-5 me fitore, bilancin e përgjithshëm të 18 përballjeve ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet.