Aktualitet Politikë

Berisha njofton protestë të fuqishme, “të mbrojmë vokacionin perëndimor të Shqipërisë!”

Në tryezën me temë “Të rikthejmë Shqipërinë në Rrugën Europiane”, me prani ekspertësh e diplomatësh, kryetari demokrat Berisha paralajmëroi protestë të fuqishme, siç u shpreh “për të mbrojtur vokacionin perëndimor të Shqipërisë e shqiptarëve”.

Sot është thirrja më kryesore: të ngrihemi e të përballemi, të mos dorëzojmë fatin tonë në Beograd, të mos dorëzojmë vendimmarrjen e këtij vendi në Beograd, por të qëndrojmë! Për mua nuk ka arsye më të fortë se kjo për t’u ngritur. U tejkalua çdo lloj kufiri dhe imagjinate. Unë nuk jam dakord me çiftimin që na bëjnë, por ne nuk folëm kur Maqedonia e Veriut e pësoi për shkakun tonë. Maqedonia e Veriut do të ishte sot anëtare po të mos vihej vetoja në çiftim. Megjithatë, kjo nuk mund të jetë kurrë motiv që ne të kalojmë në anën tjetër të historisë, në anën e zezë, të kalojmë në anën serbo-ruse të saj.

Mendoj se ne duhet të thërrasim protestë të fuqishme. Ky është një motiv në një fare mënyre ekzistencial për kombin tonë. Nuk mundet kurrë një njeri i shitur, i pashitur, cilido qoftë ai, të luajë me fatin tonë në këtë mënyrë. Nuk mundet. Edi Rama ka shndërruar Tiranën në Beogradin e vogël, nuk mundemi ne të jemi Beogradi i vogël, ne jemi kryeqyteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Berisha akuzon kryeministrin se “mes Beogradit e Brukselit, Rama zgjodhi Beogradin”.

Në këtë proces të pranimit nga Edi Rama të hegjemonisë serbe në rajon u formua aleanca trilaterale me Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë, se Kosovën e konsideron pjesë të territorit të Serbisë. Në këtë proces u konsoliduan lidhjet jo vetëm me Beogradin, por edhe me Moskën. Ky proces solli një përçarje dhe luftë të ftohtë mes Shqipërisë e Kosovës. Ky proces solli atë të cilën asnjë shqiptar që ëndërron apo që sheh si të ardhmen më të mirë të vendit të tij dhe të fëmijëve të tij në BE, nuk mund ta imagjinonte.

Më herët, Rama, Vuçiç, Kovaçevski, liderët e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, tre vendeve që janë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur” caktuan të sotmen si ditën kur do të vendosnin për pjesëmarrjen ose jo nesër në Bruksel dhe tani kanë bërë të ditur se do të jenë.