Aktualitet Sociale

Braktisja e hershme e arsimit nga të rinjtë, Shqipëria sa trefishi i rajonit më 2021-shin!

Në këto 30 vite tranzicion, investimet e vendit në kapitalin human tregojnë përkeqësim, teksa Shqipëria ka flukset më të mëdha të braktisjes së vendit nga të rinjtë. Emigracioni, i shndërruar në “profesionin” e së ardhmes për shumicën e të rinjve shqiptare, po përkeqëson më tej kapitalin human. Arsimi, sektori më i madh ku investohet në kapitalin njerëzor, po përkeqësohet në disa tregues, në vend që të ecet përpara.

Një studim i fundit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal vë në dukje se në rajon, Shqipëria ka përqindjen më të madhe të braktisjes së hershme të arsimit.

Sipas të dhënave krahasuese, në vitin 2021, gati 17% e popullsisë së moshës 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim e as në trajnim. Kjo përqindje e lartë e 20 vjeçarëve pa asnjë angazhim në arsim ishte gati tre herë më e lartë se mesatarja europiane. Në Bosnjë, vetëm 4.7% e të rinjve 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim as në trajnim, në Malin e Zi, 6.7%, në Maqedoninë e Veriut 4.6% dhe në Serbi 6.2%.

Numri i atyre që largohen herët nga arsimi ka rënë në shumicën ekonomive të Ballkanit Perëndimor më 2021-shin dhe kryesisht mbetet nën mesataren e BE-së (9.7% në vitin 2021), përveçse në Shqipëri ku fenomeni është i lartë e me rritje në krahasim me vitin 2020.

Edhe pse të gjithë vendet e Ballkanit vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar programet e arsimit në nivelin e mesëm të lartë dhe të lartë, pjesëmarrja e të rriturve në arsim e trajnim mbetet e ulët në të gjithë rajonin.

Në Serbi, 4.8% e popullsisë se moshës 24-65 vjeç mori pjesë në trajnim në vitin 2021, shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në rajon, pavarësisht se ende mbetet prapa BE-së (10.8%), ndërsa në vendet e tjera është shumë e ulët.

Mungesa e mundësive për arsimin e të rriturve dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës ndikon në punësim e për rrjedhojë në mundësi më të mira për punësim në popullatën e rritur.

Mungesa e të mësuarit në vazhdimësi pengon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe adoptimin e modeleve të reja të zhvillimit, përhapjen e teknologjisë dhe zhvillimin ekonomik duke u kujdesur për mjedisin.

Në BE, vetëm 13% e të rinjve 15-29 vjeç nuk janë as në punë, as në shkollë dhe as në ndonjë trajnim.