Aktualitet

Charles Michel në Tiranë, “Shqipërisë t’i hapen negociatat!”

Pas Beogradit, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, u ndal sot në Tiranë ku takoi kryeministrin Rama, me të cilin dha një konferencë shtypi. Michel tha se e kupton qëndrimin e Ramës për ndarjen e procesit të integrimit nga Maqedonia e Veriut, nëse edhe në qershor nuk ka datë për nisjen e negociatave për Tiranën e Shkupin. Në rastin e vendit fqinj, shkak bëhet vetoja bullgare.

Natyrisht që në Shqipëri ka padurim për të nisur negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Jam plotësisht i angazhuar për të zgjidhur vështirësitë. Ne do ta bëjmë vlerësimin në muajin qershor. Nëse kjo nuk ndodh duhet ta rishohim situatën. Pozita e kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe e përligjur.

Sipas zyrtarit të lartë europian, me situatën e krijuar nga lufta në Ukrainë, Unioni po sheh mundësitë për t’i dhënë energji të reja procesit të integrimit europian.

Shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo angazhimi ynë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ju falënderoj për mbështetjen e Shqipërisë, sidomos pas situatës së krijuar në Ukrainë. Keni qenë një aleat i vërtetë. Shqipëria është pjesë e familjes europiane e mbetet dhe partnerja kryesore e saj. Duhet t’i japim energji të reja procesit të integrimit, të dalim jashtë tradicionales, pas zhvillimeve të fundit. Po punojmë për të dhënë rezultate të prekshme për të gjithë shqiptarët dhe partnerët tanë në rajon. Kjo do të thotë që ne të bëjmë përshpejtimin e integrimit e të mos presim derisa të plotësohen tërësisht negociatat për anëtarësim. Në qershor do të kemi një takim me udhëheqësit e BE-së. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe negociatat me të duhet të hapen sa më shpejt!

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, tha se personalisht e mbështet nismën Ballkani i Hapur, pjesë e së cilës në rajon janë vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por jo Kosova, Mali i Zi e Bosnja.

Personalisht e mbështes Ballkanin e Hapur dhe uroj që të gjithë të bashkohen në këtë nismë, sepse sa më shumë të jenë, aq më të mëdha do të jenë aftësitë për të bashkëpunuar, për të forcuar strukturat ekonomike. Kjo do ta lehtësojë edhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.

Do ju tregoj një sekret, para disa muajsh ishim në Suedi për një aktivitet e shkëmbyem ide. Kryeministri më tha se sa e rëndësishme është të përfshijmë udhëheqësit. Po zbatojmë këtë qasje për të pritur mbi një vendim përfundimtar për anëtarësimin në BE. Një ide shumë pranë këtij koncepti është e ‘anëtarëve të asociuar’, pra qasje e përafërt që të kemi formatet e duhura, të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë vështirësitë e si të kujdesemi për njëri-tjetrin. Të jemi konkretë e operacionalë, ndaj e ritheksova mbështetjen time personale për iniciativën e Ballkanit.

Kryeministri Rama u shpreh se “kjo do t’i jepte fund edhe paranojave që thonë se Bashkimi Europian i ka lënë mënjanë vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Të hedhë një hap më tutje për ta afruar politikisht shumë më pranë Ballkanin Perëndimor, duke bërë një integrim të menjëhershëm në aspektin politik. Pra, të pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat europiane, në proceset e vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, përballimin e krizave, etj. Të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë, të kemi edhe detyrime të njëjta. Ideja e anëtarit të asociuar të BE-së po merr mbështetje gjithmonë e më shumë. Të gjithë të jenë të përfshirë. Kjo do t’i jepte fund të gjitha spekulimeve dhe paranojave që BE po na mban larg.