Bota

Chris Hipkins kryeministër i ri i Zelandës së Re, bën betimin!

Chris Hipkins u betua sot si kryeministri i 41-të i Zelandës së Re, duke pasuar Jacinda Ardern e cila dha dorëheqje të papritur javën e kaluar. 44 vjeçari u zotua se do të fokusohet në ekonomi e të luftojë inflacionin. Ai ka më pak se nëntë muaj për t’u përgatitur për zgjedhje të përgjithshme, ndërsa u shpreh se ndihet energjik dhe i emocionuar për sfidat që e presin.

Pak ditë më parë, Jacinda Ardern dha dorëheqje si kryeministre e Zelandës së Re, duke thënë se ndihet e pafuqishme për të qeverisur. Të dielën e 22 janarit, deputetët e Partisë Laburiste votuan për ta zëvendësuar. Njoftimi erdhi në kohën kur sondazhet tregojnë se partia e saj përballet me sfidë të vështirë në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 tetor të këtij viti. 42-vjeçarja u shpreh se gjatë pushimeve verore pati kohë që të analizonte të ardhmen e saj e pati shpresuar se do të gjente energji për të vazhduar.

Ardern do të qëndrojë në pushtet deri më 7 shkurt. Nëse asnjë prej pasardhësve të saj nuk do të gëzonte mbështetjen e dy të tretave të partisë, pritej votimi nga anëtarësia e Partisë Laburiste, çka u shmang. Në vitin 2017 kur u zgjodh kryeministre, Ardern u bë gruaja më e re në botë në krye të një qeverie, vetëm 37-vjeçe. Qeverinë e Zelandës së Re e drejtoi në kohë sfidash si pandemia koronavirus, të shtënat me armë në xhamitë në Christchurch dhe të një shpërthimi vullkanik.

Fatkeqësisht nuk e kam gjetur energjinë e duhur dhe unë do t’i bëja një shërbim të keq Zelandës së Re nëse vazhdoj të qëndroj në këtë post.

Shefja e qeverisë vuri në dukje se pesë vitet e fundit e kanë bërë të ndihet e plotësuar, edhe pse ishte i vështirë drejtimi i shtetit gjatë “krizave”.

Ndonëse në kohën kur u zgjodh, gjerësisht u konsiderua yll politik global, në sondazhet e fundit popullariteti i saj ka qenë në nivelet më të ulëta. Vitin e kaluar, Ardern i tha BBC-së se rënia e popullaritetit ishte çmimi që duhet të paguajë qeveria e saj për mbajtjen e njerëzve të sigurt gjatë pandemisë COVID-19.