Auto & Moto Botë e Çuditshme

Dështoi 59 herë në testin e patentës së shoferit, burri nga Britania e Madhe thyen rekord!

Një kandidat për shofer në Britani e Madhe, dështoi për 59 herë, megjithatë, ai u vlerësua për përkushtimin e tij. Shoferi, inicialet e të cilit nuk janë publikuar, shpenzoi 1,380£ dhe rreth 60 orë për të kaluar në një qendër testimi në Redditch. Në fakt, ai theu rekordin e tentativave të dështuara, duke mposhtur një tjetër kandidat për shofer, i cili dështoi në test 57 herë. Sipas BBC, në një deklaratë ai theksoi se “përsëritja është çelësi i suksesit”.

Në Britani, shoferët e mundshëm duhet të kalojnë teorinë përpara se të kalojnë një test praktik të drejtimit. Camilla Benitz, shefe ekzekutive e AA Driving School, e cila ka lançuar një aplikacion rishikimi për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për testin, tha:

Nuk ka dyshim se ky është një test i vështirë dhe angazhimi i këtyre studentëve për ta kaluar është mahnitës. Është mjaft e lehtë të nënvlerësosh testin e teorisë.

Shifrat nga Departamenti i Transportit i Britanisë tregojnë se shkalla e kalueshmërisë për testet teorike ka rënë nga 65% në vitin 2007-2008 në 44% në 2022-2023.