Aktualitet

“Detyrim për paraqitje” për numëruesit e KZAZ-së Librazhd!

Me prangosjen e një tjetër numëruesi të KZAZ-së në Librazhd, shkon në 7 numri i të arrestuarve për korrupsion dhe falsifikim rezultati elektoral, në dy qendra votimi në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, të zhvilluara më 25 prill 2021. Raportohet se i arrestuari më i fundit është Oltion Bajrami, si edhe vijon të jetë në kërkim shtetasi Eduart Zito.

Ndërkohë, në Gjykatën e Elbasanit sot u zhvillua seanca e masës së sigurisë për Erald Karriqin, Ylli Kukën, Durim e Olgert Allën, Erjon Dashin e Mili Vaskun. Për të gjashtë, gjykata vendosi “Detyrim për paraqitje”, edhe pse prokuroria kishte kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Që të gjashtë u arrestuan tre ditë më parë, si të dyshuar për ndryshime të rezultatit zgjedhor, ku nga verifikimet në fletët e votimit rezultoi se votat për një kandidat i kaluan një tjetri, brenda partisë ose koalicionit zgjedhor. Në rastin konkret, në Partinë Demokratike. Në të dyja qendrat në fjalë, 61 nga 69 vota të Ardjan Zenelit iu shtuan kandidatit Lefter Gështenja. Kjo gjë u konstatua nga kontrolli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ pas procesit të votimeve. Të akuzuarit deklaruan se gjithçka ndodhi ishte aksidentale, se e kanë bërë nga lodhja dhe aspak në mënyrë të qëllimshme. Ata folën për pakujdesi.

Unë nuk di të them si është bërë ky ndryshim votash në këtë tabelë rezultati të kësaj kutie votimi, mendoj se do të jetë bërë  gabim nga lodhja dhe po ashtu nga puna e gjatë. Tavolina ka qenë e ngushtë dhe kur ndaheshin fletët për secilin kandidat, mund të jenë ngatërruar. Them se është një pakujdesi!

Eshtë një gabim njerëzor dhe kutia ka qenë në momentet e fundit të numërimit.

Veprimi është bërë nga pakujdesia, si rezultat i lodhjes dhe pa asnjë lloj interesi në mes.

Duhet të jetë gabim njerëzor, jo një gabim me dashje.