Gossip Showbiz

Disa ditë pas tragjedisë, zbulohet shkaku i vdekjes së fanses së Taylor Swift gjatë koncertit!

Lodhja nga vapa ekstreme ishte shkaku i vdekjes së fanses braziliane në koncertin e Taylor Swift, sipas raportit mjeko-ligjor. Ana Clara Benevides Machado ndërroi jetë gjatë koncertit të Taylor në Rio de Zhaneiro më 17 nëntor nga moti i nxehtë ku termometri arrinte në 40.5 gradë Celsius. E reja ndërroi jetë në spital. Instituti i Mjekësisë Ligjore të Rios deklaron se ekspozimi ndaj nxehtësisë çoi në një ndërlikim serioz të mushkërive të saj dhe vdekje të papritur ose një arrest kardiak-respirator.

Ndërkaq, është hapur një hetim penal për vdekjen e së ndjerës dhe përfaqësuesit e koncertit do të thirren për të dëshmuar. Menjëherë pas incidentit tragjik, fansat kërkuan që organizatorët të furnizonin me më shumë ujë koncertet në vijim. Rikujtojmë, se pas tragjedisë reagoi edhe babai i së ndjerës i cili me anë një interviste deklaroi se Ana “iku për një ëndërr dhe u kthye e vdekur”. Duke folur për gazetën Folha de Sao Paulo, 53-vjeçari Weiny Machado e quajti vajzën e tij ‘të lumtur dhe inteligjente’.

Kam humbur vajzën time të vetme, një vajzë të lumtur dhe inteligjente. Ajo ishte gati të diplomohej në Psikologji prillin e ardhshëm. Dëshiroj që të zbulohet nëse në fakt u është ndaluar të sjellin ujë, nëse ka pasur neglizhencë në dhënien e ndihmës. E di që këngëtarja po shpërndante ujë për fansat e saj dhe kjo është absurde për një ngjarje të këtyre përmasave. Asgjë nuk do ta kthejë vajzën time, por shpresoj që nëse konfirmohet neglizhenca, dikush do të dënohet, që kjo të mos ndodhë me askënd.

Ndërkaq, Taylor Swift nga ana tjetër reagoi zemërthyer duke shprehur se:

Nuk mund ta besoj që po i shkruaj këto fjalë, por me zemrën e copëtuar them se humbëm një fans sonte para shfaqjes sime. Unë as nuk mund t’ju them se sa e shkatërruar jam nga kjo.