Aktualitet Rajoni

Dorëzohet Vuçiç, qeveria serbe rrëzon planet e minierës së litiumit!

Qeveria serbe ka vendosur të heqë dorë nga planet e saj për ndërtimin e një miniere masive litiumi dhe do të tërheqë licensën e dhënë kompanisë Rio Tinto.

“Leja anulohet, Rio Tinto nuk ka më punë në Serbi”, deklaroi kryeministrja Ana Bernabiç.

Ekzekutivi në Beograd u përball me një presion të madh nga qytetarët të cilët dolën për javë të tëra në rrugë duke protestuar ndaj projektit me vlerë 2 miliardë dollarë. Shqetësimi kryesor i tyre ishte ndikimi mjedisor i minierës së litiumit. Gjiganti anglo-australian ishte duke zhvilluar këtë minierë në Serbinë perëndimore në një përpjekje për të tërhequr investime të huaja dhe për të nxitur rritjen ekonomike.

Miniera e litiumit, e cila parashikohej të ishte një nga më të mëdhatë në botë, u pa si një mënyrë për të kapitalizuar kërkesën globale në rritje për elementin që përdoret gjerësisht në bateritë që shfrytëzohen për pajisje elektronike dhe automjete elektrike. Por grupe ambientaliste argumentonin se miniera do të ishte shkatërruese për tokën bujqësore dhe furnizimet me ujë. Vendimi për anulimin e projektit vjen përpara zgjedhjeve që do të zhvillohen në Serbi në 3 prill, ndërsa presidenti Aleksander Vuçiç u kritikua se e vuri zhvillimin e këtij projekti përpara shqetësimeve mjedisore në një vend që vuan nga ndotja e lartë e ajrit, menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe problemeve të tjera mjedisore që janë grumbulluar pas dekadash të tëra neglizhence.