Aktualitet

Dosja “Habilaj”, 8 vjet burg për ish shefin e Narkotikëve të Vlorës Gjergji Kohila

Gjykata e Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, GJKKO dënon me 12 vite burg ish-shefin e Narkotikëve të Policisë Vlorë, Gjergji Kohila. Me gjykim të shkurtuar do t’i takojë të bëjë 8 vite burg. Por mbetet fakt që ish zyrtari i lartë i Policisë është në arrati.

Dënimi në mungesë nga Gjykata e Posaçme vjen në kohën kur në Apel pritet të nisë rigjykimi për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Jaeld Çelën. Ndëkohë që Kohila prej më shumë se tre vitesh vijon të jetë në kërkim nga drejtësia.

Gjergji Kohila u shpall fajtor në mungesë nga shkalla e parë dhe u dënua me 8 vite burg, pasi përfitoi nga zbritja e gjykimit të shkurtuar.

Akuzat për të cilat u shpall fajtor ish-shefi i sektorit kundër krimit të organizuar të policisë së Vlorës e lidhin atë me trafik të narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit kriminal për të cilën mori 12 vite burg.

Ndërsa për grupin kriminal, ish-zyrtari Kohila u shpall fajtor dhe mori dhe dy vite të tjera burg, por siç deklaroi gjyqtari Artan Gjermeni në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai fiton një të tretën e uljes së dënimit.

Emri i Kohilës është në të njëjtën dosje të quajtur si “Habilajt”, e së bashku me të është edhe Sokol Bode, një tjetër ish-zyrtar policie që vijon të jetë në arrati, por që çështja e tij u veçua mbasi kërkoi gjykim të zakonshëm.