Pasò

Duka: Ja pse statuti i ri i FSHF-së nxjerr jashtë Koço Kokëdhimën

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte sot i ftuar në emisionin sportiv “Pasó”. Në një intervistë për Top Albania Radio me Denis Dyrnjaja, Glenti Nallbani dhe Sidorela Gjoni, Duka zbuloi disa nga ndryshimet më të reja që do të ndodhin rreth futbollit shqiptar.

Për sa ju përket ndryshimeve në statutin e FSHF-së, Duka shprehet në mënyrë sa më objektive:

Kushtetuta e një organizate që është statuti për ne, ka pësuar ndryshime herë pas here për të ecur me hapat e kohës të partnerëve. Nën udhëzimet e FIFA-s kemi bërë ndryshimet edhe në statutin tonë. Ato kanë të bëjnë me përafrimin me statutet tip të FIFA-s dhe federatave botërore, sigurisht në përputhje edhe me legjislacionin tonë. Një tjetër ndryshim është përfaqësimi i të gjithë anëtarëve të futbollit pasi në të vjetrin nuk ishin si futbolli i femrave apo ai i futbollit amator. Kushdo që luan futboll e gjen veten pranë federatës tashmë. Në ndryshimet e reja parashikohen edhe kufizime për kandidatët e rinj, për rezidentët jashtë apo njerëzit e politikës.

Pika që është debatuar më së shumti është në lidhje me politikën, që kandidatët nuk duhet të jenë pjesë e saj. Por për ta ngacmuar më shumë ngrihet si pyetje çështja e Koço Kokëdhimës, nëse preket nga këto rregulla të reja?!

Konkretisht interpretimin nuk ta them dot… Kokëdhima më duket se është kryetar partie dhe nëse po, mund ta cenohet. Nuk kam qenë ndonjëherë pro që të ketë personazhe të politikës në futboll, por gjithsesi kam garuar me personazhe politike… dhe kam fituar!

Më pas Duka përmend se ky vendim për të mos përfshirë persona politikë ka nisur që në janar të këtij viti, ku janë propozuar mendimet për ndryshimin e statutit dhe arsyet pse. Gjithashtu sipas tij, çdo gjë ka qenë e diskutuar më parë dhe brenda ka pasur edhe politikanë që kanë dhënë mendimin e tyre për këto çështje duke arritur në këto përfundime.