Celebrities Magazine Showbiz S’e Kam me Ty

Erinda Fino tregon eksperiencën e jetesës në Japoni dhe mesazhin e veçantë për rikthimin në mëmëdhe!

Në lumin e programeve televizive dhe ‘qyfyreve’ të tyre frymëzuar nga cikli ‘Mai Dire’ i Mediaset – tre emra të njohur të radios & TV në Shqipëri vijnë me një program ku komentohen perlat nga programet që njihni dhe nuk i njihni, që i keni parë ose me shumë gjasa jo, xhanëm me kaq sa janë kjo është e pamundur… Një emision nga Jonida Aliçkolli, Elios Shuli dhe Lei Kraja, çdo të enjte në Top Albania Radio.

E ftuar në emisionin e kësaj mbrëmjeje ka qenë Erinda Fino, e cila së fundmi është emëruar drejtoreshë e Përgjithshme e “Tirana Parking”. Nuk është hera e parë që Finos i besohet një institucion nga Bashkia e Tiranës, pasi më herët ajo ka qenë drejtoreshë e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Por nëse kthehemi pas në fillimet e karrierës së saj, jetesa e Erindës ishte mjaft ndryshe nga sot ku për të gjithë dëgjuesit që nuk e dinin si fakt, ajo ka jetuar rreth 6 vite në Japoni së bashku me bashkëshortin. Ja se si shprehet për këtë eksperiencë:

Ne shkuam për të kryer studimet pasuniversitare master dhe doktoraturë në Japoni. Nisi krejt rastësisht. Ne ishim të fejuar dhe e morëm këtë vendim hopçe – do ikim. Dhe mendoj që ka qenë vendimi më i mirë i jetës sime. Japonia ishte vendi, i cili teksa ne ishim shkolluar dhe kishim mbaruar studimet e larta, na dha një tjetër botë. Na mësoi, pra ne morëm kulturën dhe pjesën e e dukatës nga familjet përkatëse, shkollimin këtu nëpër shkolla, por atje ne morëm një tjetër kulturë. Përthithëm të qenurit punëtorë. Është një vend për të cilin unë kam shumë nostalgji non-stop sepse pjesën adulte dhe profesionale të Erindës dhe të tim shoqi mendoj që e ka gdhendur ai vend. Ne kemi mësuar shumë. Një pjesë e jetës sonë është atje dhe miqësi e fortë vijon të mbetet me këdo që unë kam qenë në kontakt në Japoni. Shpesh herë e mendojmë rikthimin. Jo përgjithmonë, por për mall. Na merr malli.

Përsa ata i dhanë fund këtij rruguëtimi dhe vendosën të rikthehen në Shqipëri?

Arsyeja që ne u kthyem ishte prindërit, pra arsye shëndetësore, mosha, etj. Pra vendosëm të linim pas karrierën që im shoq do të bënte si profesor i asocuar atje sepse iu bë një ofertë e tillë. Por vendosëm që okay, ne e morëm një eksperiencë të tillë, por është koha që në radhë të parë t’i gjendemi pranë familjes sepse malli dhe kjo pjesë është e pashmangshme dhe e dyta atë çka morëm si dije atje, ta vëmë në vijë dhe ta vëmë në jetë këtu në Shqipëri. Ndaj, kjo e dyta na u përkthye. Patjetër edhe e para pasi jemi pranë me familjarët, por na doli shumë mirë dhe e mbarë kjo pjesa e dytë.

A është kjo një eksperiencë që Erinda do t’ja sugjeronte personave të tjerë? Ja mesazhi i bukur që ajo dha për çdo njeri që zgjedh të jetojë larg Shqipërisë:

Mendoj që çdo njeri duhet ta bëjë një eksperiencë të tillë. Duhet të kuptojë se çfarë do të thotë jeta jashtë vendit. Të mësojë dhe të marrë më të mirat e asaj kulture ku ata zgjedhin të shkojnë dhe të kthehen në vend, në atdhe apo në mëmëdhe për ta bërë këtë vendin tonë, këtë Shqipërinë tonë akoma më lule seç është.