Sport

Europa League, sonte ndeshjet e kthimit gjysmëfinale

Në mbrëmje në orën 21:00 do të luhen ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të Europa League-s nga ku do të dalin skuadrat që pritet të diskutojnë trofeun e kompeticionit më 26 maj në Gdansk të Polonisë. Manchester United do të luajë në Olimpico ndaj skuadrës së Romës ndeshjen që do të ndiqet me vëmendje edhe nga trajneri i ardhshëm i verdhekuqve Jose Mourinho.

Praktikisht, “Djajtë e Kuq” janë me një këmbë në finalen e Europa League-s pas fitores tenistike të javës së kaluar në Old Trafford, 6-2. Në konferencën për shtyp në prag të takimit, trajneri Ole Gunnar Solskajer preferoi të mbajë skuadrën me këmbë në tokë. Norvegjezi kujtoi përmbysjen e rezultatit që pak vite më parë, Roma bëri ndaj Barcelonës pas humbjes 4-1.

Në ndeshjen tjetër po në orën 21:00, Arsenali do të presë në Londër, Villarreal-in e Unai Emery që është vënë përballë ish-skuadrës së tij. Në ndeshjen e parë, nëndetësja e verdhë arriti të fitojë me rezultatin 2-1 por llogaritë për finale janë të hapura, me topçinjtë që kanë arritur të shënojnë gol në fushën kundërshtare.

Për Arsenalin, Europa League është i vetmi kompeticion që mund t’i shpëtojë sezonin pasi është eliminuar nga të gjitha eventet e tjera e në kampionat është i nënti me 49 pikë. Roma-Manchester United do të transmetohet në Supersport 2 ndërsa Arsenal Villarreal në Supersport 3.