Rajoni

Forumi i Prespës, Reeker: Procesi i integrimit europian, të ecë përpara!

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, i pranishëm në Forumin e Prespës ka shprehur zhgënjimin për mospërcaktimin e një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vendimi i Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte frymëzues, po nëse nuk ndërmerr hapa konkrete tani BE do të humbasë besueshmërinë. Shpresojmë që BE të mbajë sa më shpejt konferencat e para ndërqeveritare me të dyja vendet.

Çdo vonesë e mëtejme për fillimin e negociatave rrit euroskepticizmin e qytetarëve dhe reflekton negativisht mbi situatën politike në vende, -tha Reeker

Edhe kryeministri i Maqedonisë së veriut nuk ka kursyer kritikat ndaj BE, për mos-hapjen e negociatave, duke theksuar se vendet kanë plotësuar tanimë detyrat e shtëpisë.

 BE nuk e përmbushi premtimin. Siç thotë edhe miku im Edi Rama, BE mund të vendosë data, por jo vendondodhjen apo faktin se ne jemi pjesë e familjes evropiane. Ballkani Perëndimor është Evropë, -tha Zaev.

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabić tha sot se rajoni duhet të vazhdojë me integrimin evropian, por që gjithashtu fokusi tjetër duhet të jetë bashkëpunimin rajonal, i cili sipas sajmund të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve, duke përmendur edhe si shembull konkret heqjen e tarifave roaming, për qytetarët në vendet e ballkanit Perëndimor.

Është një rezultat i prekshëm dhe në atë mënyrë qytetarët do të ndiejnë se kemi arritur diçka për ta. Kjo është vlera për të cilën unë përpiqem dhe pres projekte të tilla, -tha Brnabić.