Bota

Funeral shtetëror për ish-kryeministrin italian, Silvio Berlusconi!

Në Katedralen e Milanos, sot pasdite zhvillohet një funeral shtetëror për ish-kryeministrin italian, Silvio Berlusconi, dy ditë pas ndarjes nga jeta në moshën 86-vjeçare në një spital ku ishte shtruar nga e premtja e kaluar.

Drejtuesit më të lartë të shtetit, presidenti i Republikës, Sergio Mattarella dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni do të jenë në mesin e atyre që do të marrin pjesë në shërbim. Përveç politikanëve nga Italia e jashtë saj, mes tyre kryeministri Edi Rama, në sheshin qendror të katedrales pritet të mblidhen mijëra njerëz.

Berlusconi ishte një manjat i diskutueshëm i pasurive të paluajtshme, mediave e futbollit, i cili dominoi jetën publike italiane, duke rikrijuar veten si një politikan konservator, por i prirur ndaj gafave publike dhe përplasjeve me ligjin.

Ai ishte kryeministri më jetëgjatë i Italisë, me mandate në vitet 1994, 2001-2006 e 2008-2011.

Ngritja e Berlusconit në pushtet ishte meteorike, duke fituar zgjedhjet e para në vitin 1994, në krye të një partie të re të quajtur sipas një slogani futbollistik “Forza Italia”. Ndërkaq, dha dorëheqjen në vitin 2011, në kulmin e një krize të borxhit kombëtar e që rrezikoi të destabilizonte të gjithë Eurozonën.

Matteo Salvini i ekstremit të djathtë e zëvendësoi si lider të bllokut konservator të vendit fqinj e partia e tij “Forza Italia” u shndërrua në një forcë politike të parëndësishme, deri në kthimin e saj vitin e kaluar, si një parti e vogël koalicioni në qeverinë e krahut të djathtë të Melonit. Ndarja nga jeta e Silvio Berlusconi-t e lë koalicionin qeverisës të Italisë në një pozitë të pasigurt.

Silvio Berlusconi ka vuajtur nga disa probleme shëndetësore në vitet e fundit. Në muajin prill ai u trajtua për një infeksion të mushkërive të lidhur me një rast të pazbuluar më parë të leuçemisë kronike. Në fund të vitit 2020 u infektua me koronavirus, ndërsa më 2016-ën iu nënshtrua një operacioni në zemër.