Aktualitet

Grabiti makinën e parkuar në Laç, prangoset në kohë rekord!

Gjendet brenda 24 orëve një automjet i vjedhur, identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar. Uniformat blu u vunë në lëvizje pas kallëzimit të marrë nga shtetasi me iniciale L.L., banues në Laç, se i kishin vjedhur automjetin e tij “Lancia” të cilin e kishte të parkuar te parkimi poshtë pallatit. Shërbimet e Policisë Kurbin njoftojnë se intensifikuan kontrollet e monitorimet, me qëllim lokalizimin e gjetjen e mjetit si dhe identifikimin dhe arrestimin e autorit.

Njoftimi i policisë: 

Si rezultat, në vijim të kontrolleve të pandërprera dhe vlerësimit të çdo informacioni policor për këtë rast, gjatë mesnatës, shërbimet policore të Komisariatit Kurbin kanë lokalizuar mjetin e vjedhur në një rrugicë dytësore dhe autori po tentonte të largohej së bashku me automjetin në drejtim të një qarku tjetër me qëllim shitjen e mjetit.

Drejtuesi i mjetit, në momentin që ka parë shërbimet e policisë, ka devijuar rrugën në tentativë për t’u larguar bashkë me automjetin, por nuk ka mundur dhe në këto kushte, duke shfrytëzuar edhe përfituar nga errësira e natës, ka braktisur mjetin dhe është larguar me vrap.

Falë punës së mirëfilltë operative hetimore është bërë e mundur identifikimi, kapja e arrestimi i autorit të dyshuar shtetasit G. N. 40 vjeç, banues në Laç, për vepren penale “Vjedhja”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.