Aktualitet Politikë

Hidhet në erë me tritol makina e kreut të ‘Rithemelimit’ në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca

Një atentat me tritol është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në Vaun e Dejës. Objektiv ka qenë kreu i Rithemelimit në Vaun e Dejës, Benard Ndreca. Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 07:10 në fshatin Paçam pranë banesës së Ndrecës.

Sasia e tritolit u vu në pjesën e përparme të makinës ndërsa shpërthimi ka ndodhur në momentin që Benard Ndreca ka hipur në mjetin e tij tip ‘Audi’.

Si pasojë e shpërthimit, nuk ka pasur të lënduar, vetëm dëme materiale. Një pistë për autorët, mund të jetë posti i tij politik në prag të zgjedhjeve vendore.

Njoftimi i policisë:

Vau i Dejës/Informacion paraprak

Rreth orës 07:10, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në pjesën e përparme të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetasit B. N., dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Nga veprimet e para rezulton se shpërthimi ka ndodhur në momentin që shtetasi B. N. ka hipur në automjet.

Nga shpërthimi, shtetasi B. N. nuk ka pësuar dëmtime, por janë shkaktuar vetëm dëme të pjesshme materiale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.