HistoGri

HistoGri – Historia e çuditshme e aktorit Heath Ledger dhe personazhit të 1001 dinamikave, Joker!

“HistoGri” është një program radiofonik që çdo javë sjell histori me një anë të errët e të  pazbuluar apo folur publikisht për personazhe dhe ngjarje që kanë lënë gjurmë në atë që kanë bërë apo ka ndodhur…

Historia që do të lexoni në këtë shkrim është ajo e një aktori që vdiq shumë i ri. Mund të tingëllojë e jashtëzakonshme apo e pabesueshme, sepse ajo që do të thuhet, nuk flet vetëm për aktorin, por edhe për një personazh imagjinar me shumë forcë dhe ndikim. A të jetë i mallkuar ky personazh, sa u shndërrua në një vrasës, për atë që e interpretoi.

Historia e çuditshme dhe e veçante, është ajo e aktorit Heath Ledger dhe po aq e personazhit të 1001 dinamikave, me emrin Jack Napier ose quajtur ndryshe ‘Jocker’-i. Kush është i fiksuar tek sagat e “Batman”, tek “Kalorësi i Natës”, e mban mend mirë diferencën që Joker pati në atë film.

Derisa ishte një personazh librash të animuar me grafika të Boba Kane dhe Bill Finger, personazhi i Batmanit, është lidhur gjithnjë me imagjinatën e fortë në luftën mes të mirës dhe të keqes në qytezën imagjinare Gotham City, aty ky personazhi kryesor përballej me armiqtë e tij. Por historia këtë herë vendoset në një tjetër realitet, në atë të gradaçelave dhe qiellgërvishtseve të Nju Jorkut, jo aq të errëta sa tek historitë e Batmanit. Madje shtëpia për të cilën do t’ju tregojmë, është një apartament i bukur me një kopsht shumë të gjelbëruar, në Broon Street, Soho, saktësisht në zemër të Manhattan. Banesa është e tipit ‘loft’, por jo tipikisht një ambient i vogël me një hapësirë, apo pa mure siç janë shumë shtëpi të përshtatura në NYC. Madje as ndonjë ish-magazinë e shndërruar në shtëpi. Banesa në fjalë është e madhe, në metra katrorë dhe prej 5 apo 6 muajsh e riinvestuar kryesisht në punimet e brendshme, sepse ai që banon aty është një aktor i ri në moshë, i pasur dhe i famshëm. Nëse nuk do të ishte për zanatin e tij, për shumë kënd në Nju Jorkun e madh dhe kaotik, ai do kishte qenë si shumë pasanikë të tjerë që jetojnë ëndrrën amerikane. Por në fakt ai bie në sy. Që nga emri i vendosur në citofoninë poshtë banesës. Ledger, Heath Ledger.

Një tip si ai, i ri, i famshëm, aktor, kur paraditet nuk i ka të zëna me punë, zakonisht rutina e tij ishte gjumë deri vonë. Por në momentin që i referohemi historisë së tij personale, ai ishte me xhirimet e filmit “The Imaginarium of Dr. Pernasus” me regjisorin Terry Gilliam. Dhe atë të martë, 22 Janari në 2008, ai e kishte pushim, nuk do të shkonte në sheshxhirim. Takimin e parë të ditës e kishte fiksuar në orën 3 pasdite, me një vajzë të re, Dajana Lee Volosin, masazhatore profesioniste dhe personale. Për rastësi, veç masazhatores në atë orë mbërrin poshtë shtëpisë edhe gruaja që pastronte dhe mirëmbante shtëpinë e Ledger dhe gjen Dajanën poshtë apartamentit.

Të dyja kuptojnë që ka diçka që nuk shkon, pasi masazhatorja i kishte rënë vazhdimisht ziles së shtëpisë, madje edhe kishte thirrur nga poshtë, por Heath nuk i ishte përgjigjur. Punonjëesja e shtëpise, afërmendsh mban çelësat e shtëpisë ku punonte me vete dhe pasi hapin derën kryesore, ngjiten bashkë në shtëpinë e aktorit. Sapo hyjnë e kuptojnë që ai është në shtëpi. Kjo nga mënyra sesi ishin vendosur orenditë dhe rrobat e tij personale. Heath gjendet në dhomën e gjumit. I shtrirë në shtrat mes çarçafësh dhe pa rroba në trup. E megjithëse revista e njohur “Empire”, dekadën e shkuar e zgjodhi mes 100 meshkujve më seksi në atë kohë, imazhi që panë dy gratë e shërbimit në ato momente, nuk ishte ai i kopertinave apo filmave. Përkundrazi dukej menjëherë që Heath Ledger kishte vdekur.

Kënga “Can’t Take My Eyes Off You”, ka qenë fiksimi i miliona adoleshentëve, që natyrisht sot janë burra e gra në jetën e vet, por që në 1999, rioshin me kaçurrela të gjata që bënte djalin e keq tek filmi “10 Things I Hate About You”, e kishin fiksim moshe…..por që nga ai moment e deri 10 vjet më vonë, ai nuk arriti t’i mbushë dot….

Por le të kthehemi tek historia…kronikat e lajmeve që flisnin për vdekjen e tij pushtuan botën. Ishte një nga yjet e momentit e kinemasë…nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Le t’i hyjmë pak më thellë historisë…

Nëse Batman e ka një kolonë zanore edhe antagonistët e tij e kanë një të tillë. Dhe janë plot armiqtë e personazhit Batman, si p.sh. Osvald Cesterfilld Cabelpot, ose quajtur ndryshe Pingini, apo Celina Kay, gruaja mace. Por mes tyre është dhe një tjetër armik më i veçuar, më i rrezikshëm dhe më i çuditshëm. Një ish-kimist i quajtur ‘The Jocker’. Madje në filmin ku shfaqet, “The Dark Knight”, ka muzikën e kompozuar vetëm me dy nota, atë të një mjeti të fortë çeliku dhe të mprehtë që rreh mbi një tel të tendosur.

Një efekt zanor rrënqethës dhe anarkik!

Kështu e përcakton edhe kompozitori Hans Zimmer që shkroi muzikën e këtij filmi. Por për aktorin që e intrepretoi Jokerin, po binte një tjetër lloj tingulli, ishte zhurma e alarmit të makinave të policisë që mbërritën në apartamentin e tij 7 minuta pasi Ledger u gjet i vdekur nga dy gratë që telefonuan në numrin e emergjencës, 911.

Bashkë me policinë mbërrijne edhe mjekët e ambulancës së urgjencës, të cilët në momentet e para tentojnë ta rikthejnë në jetë aktorin Ledger me të gjitha mjetet. Goditje në gjoks me defibrilator apo frymëmarrje artificiale, njësoj si tek serialet me mjekë, të tipit ER. Por ai nuk është një sheshxhirim, megjithë aksionin mjëksor që po ndodh edhe pse provuan për minuta me rradhë, mjekët dhe infermierët e urgjencës, kuptuan se gjithçka kishte marrë fund. Dhe ishin tentativa të kota. Heath Ledger kishte ikur përgjithmonë. Në orën 15:36 të 22 Janarit, mjekët firmosin certifikatën e tij të vdekjes. Atë të martë të gjitha agjensitë e lajmeve dhe mediat japin me shpejtësi lajmin se gjendet i vdekur në apartamentin e tij aktori Hollywood-ian, Heath Ledger, duke nënvizuar vazhdimisht se bëhet fjalë për aktorin e filmit, fitues të çmimit “Oscar”, “Brock Mountin”, ku Ledger luante një ‘cawboy’ homoseksual dhe ku mori kandidaturën e parë për “Oscar” si aktori më i mirë protagonist. Edhe pse ishte afër të 30-ave, Heath numëronte një galeri të madhe rolesh në film dhe teatër. Ndër më të njohurit, filmat si “Patrioti” me Mel Gibson, “Kavalieri”, i Brian Hegman, filmi “Unë nuk jam këtu”, që ekranizon jetën e Bob Dylan në film.

Por tani do i kthehemi historisë që shumë e lidhin me vdekjen. Kur Heath vdiq, fakti që ishte shumë i ri dhe me një karrierë intensive, kishte bërë që shumë ta njihnin dhe admironin, të tjerë mos ishin shumë familjarë me portretin e tij. Mendoni ishte vetem 28 vjeç. vPor çfarë mund t’i kishte ndodhur? Trupit i ishte bërë autopsia pasi mbërrin në spital. Konkluzioni për vdekjen publikohet ditë më vonë, në 6 Shkurt, ku shkruhet se Heath Ledger vdiq si pasojë e një helmimi akut provokuar nga kombinimi i ilaçeve me qetësues gjumi…

Kush kupton nga ilaçet le ta imagjinojë çfarë ka gëlltitur…Oksi Kodi, Idro Kodoni, DiaZepami,TemaZepami, AraZolani dhe ToksiLamidi…. Kur i lexon të gjitha këto medikamente mendon, si i ka mbledhur të gjitha në grusht dhe gëlltitur këtë miks ilaçesh qetësuese dhe antidepresant që i sollën efektin vdekjeprurës. Pra, një overdozë ilaçesh që provokuan menjehërë një krizë kardiake pasditen e asaj të marte.

Por kur një njeri i ri, i pasur dhe bukurosh, që duket sikur çdo gjë në jetë i shkon për mrekulli, humb jetën në rrethana të tilla, të gjithë fillojnë dhe ngrenë hipoteza dhe interesohen përse ndodhi. Çfarë e çoi deri në pikën e fundit? Dhe këtu pastaj një nga pistat që u analizua fort ishte takimi i tij me personazhin.

Si  mundet që një ekzemplar i ngratë,i ngathët dhe patetik, t’i mbijetojë botës së sotme plot zhurmë e pamëshirë…

Këto janë fjalët e personazhit Joker në një nga romanet grafike të “Batman”, të quajtur “The Killing Joke”, duke folur per veten…Dhe përgjigjja që jep është:

Jo fort rehat.

Dhe në fakt as Heath Ledger nuk i mbijetoi botës së tij. Por përse vdiq nga ilaçe, të cilat sipas autopsisë, nuk gjendeshin në shtëpi rastësisht, por ja kishte rekomanduar mjeku personal që e ndiqte prej një viti për shkak të depresionit të lartë që kishte mbërthyer aktorin e ri. Sidoqoftë t’i merrte në një tjetër formë dhe jo të gjitha njëherësh.

Dhe ndalemi pak tek mënyra…të gjitha ilaçet bashkë, tipike për të shkuar drejt vetëvrasjes. Siç besojnë shumë miq të tij, që e lidhin vdekjen me depresionin pas divorcit nga aktorja Michele Ëilliams, të cilën e njohu në sheshxhirimin e filmit të Ang Lee, “Brokeback Mountain”. Zërat që qarkulluan në atë kohë, flisnin se Michele e ndalonte Heath të takonte vajzën e tyre të vogël me pretendimin se i ati ishte i droguar. Këtë ide e përforconte edhe një video që qarkulloi, ku shfaqej Heath teksa merrte drogë. Por miq të tij të afërt dhe familja i kanë mohuar këto arsye.

Madje për vdekjen u hodh dhe një hipotezë tjetër. Ajo e vrasjes. Sepse policia nuk e anashkaloi dot faktin se pasi masazhatorja personale dhe pastruesja e shtëpisë e gjetën trupin e pajetë, e para nuk lajmëroi menjëherë policinë, por një mikeshë të Ledger edhe ajo një aktore. Masazhatorja arsyetoi në shpjegimet e mëvonshme se e bëri nga frika dhe paniku dhe me gjithë dyshimet, ajo asnjëherë nuk u ngarkua me përgjegjësi. Por zërat në “Internet”, që flisnin për një pistë të vrasjes, nuk u shuan kurrë. Dhe jo nga një person real, por nga një krejtësisht imagjinar, fiksional. Nga Jockeri…armiku i betuar i Batmanit…personazhi që interpretoi vetë Heath Ledger.

Përpara se të angazhohej në filmin e Terry Gilliam, Heath mori përsiper të interpretonte personazhin më të frikshëm dhe kriminal të Gotham City, personazhit të shpërfytyruar nga një aksident dhe që gjithë inatin e kishte me botën.

Jack Napier, sipas romaneve të Batman ishte nje kimist i dështuar, humorist po ashtu i pazoti dhe që më pas u shndërrua në një kriminel. Një ditë, Jack grabit laboratorin me substancë kimike ku kishte punuar dhe për faj të Batman-it, përfundon në një pellg acidi dhe shndërrohet në Jocker, armiku kryesor i Batmanit.

Në filmin “The Dark Knight” të Christopher Nolan, Heath Ledger interpretonte pikërisht atë, Xholin. Nuk kishte qenë e lehtë për Ledgerin dhe vetë ai e rrëfen këtë, në një intervistë personale kur tregon për një teknikë të vjetër që mësohet në “Actor Studios” në Hollywood, aty ku kanë mësuar edhe emra të tjerë si Marlon Brando dhe Robert DeNiro. Teknika në fjalë konsiston në përvetësimin totalisht të sjelljes së personazhit, në aspektin personal. Kjo për të arritur perfeksionin në atë interpretim. Për rolin, Heath qendron i mbyllur gati një muaj në hotel duke lexuar romane thriller dhe duke parë filma horror në Tv. Sipas teknikave të mjeshtrit të aktrimit në “Actor Studios”, Lee Stasberg, Heath nuk duhet të hiqet sikur është një psikopat dhe vrasës, siç ishte Joker. Ai duhet të jetë vërtetë i tillë, duke lëvizur, ecur dhe menduar si negativi Joker.

Ditët që qendroi i mbyllur, Heath Ledger mbante një ditar ku shkruante të gjitha mendimet dhe ndjesitë, por jo të vetat personale….Por ato të Joker, me të cilin po njehsohej gjithmonë e më shumë.

Në fakt për kritikën, interpretimi që Heath Ledger i ka bërë Joker, është i jashtëzakonshëm. Një nga më të realizuarit prej tij. Madje edhe më i mirë se Jokeri i mëparshëm, interpretuar nga fituesi i çmimit “Oscar”, Jack Nickolson. Është një interpretim tronditës për një personazh skizofren, vrasës serial dhe psikopat të privuar nga anët pozitive dhe këtu e përcakton vetë Heath Ledger personazhin e Joker-it.

Megjithatë, Heath mbetet aktor dhe nuk është se pas xhirimit merr rrobat dhe trukun e filmit dhe të vriste njerëz rrugëve…ama sforcimi për ta nxjerrë personazhin me perfeksion, kishte kosto emotive dhe psikologjike tek ai, ku siç pohonte vetë kishte netë që i kalonte vetëm me dy orë gjumë. Edhe më parë përdorte ilaçe gjumi, por pas angazhimit me këtë personazh ju desh të shtonte dozën e qetësuesve. Ai nuk arrinte dot që pas punës të shkëpuste trurin nga roli dhe sjelljen reale nga ajo e filmit deri sa vdiq. Por a është e vërtetë kjo hipotezë? A të ketë qenë vetë Jokeri me gjithë kompleksitetin që mbart që çoi në vdekjen e aktorit?

Ky është një personazh kompleks dhe kur flasim për Joker, ata që njohin sagën e filmave të Batman, nuk mund të ngatërrojnë kurrsesi Jokerin e fundit të interpretuar në mënyrë brilante nga Joaquin Pheonix, i cili humbi 23 kg për të kapur imazhin perfekt që donte për rolin. Dhe të kuptohemi, Joker-i i fundit nuk lidhet me të mëparshmit fare.

Dhe për këtë shumë që as kanë parë asnjë film të Batman, mund të krijojnë edhe ide të gabuara. Joker në “Suicide Squad” tentoi edhe Jared Leto, aq sa u bë keq që ai nuk ishte Joker tek filmi i Tod Fillips edhe pse Jared nuk pati më Joker shkëlqimin që donte. Por ai është rol kompleks, kush e merr përsipër ka pasoja dhe këtë e di mirë, jo për sakrificat që janë norma le për një aktor, por për atë që heq më pas.

Joaquin Pheonix tregonte se i duhej të rifitonte peshën dhe po aq të rigjente veten dhe u mbyll në spital për 2 muaj për detox nga roli, sepse e tillë ishte kostoja që mori përsipër. Sepse në film, për ata që janë supersticiozë, ky është roli i mallkuar. Por do mbetemi pak tek personazhi që mund të shndërrojë deri të shkatërrojë një aktor. Ne mund të mendojmë, natyrisht duke mos qenë aktor dhe duke njohur pak nga teknikat e zanatit te tyre, nëse mund të ketë një pikë ndarje, aty ku logjika personale prevalon mbi rolin sado i fortë apo epik qoftë ai.

Por në fakt këto i mendojmë ne, ne që jemi spektatorë në fund të ditës. Ata kanë të tjera ndjesi dhe shpjegime mbi këtë ndikim të fortë psiko-emocional të rolit. Dhe këtë rast të Joker-it e beson më shumë se kushdo Jack Nickolson. Ai tregon se e pati paralajmëruar Heath Ledger për pasojat që ai rol do i linte, kur mësoi se kush do e interpretonte Joker-in në serinë e rradhës së Batman-it. Nickolson tregon se i tha Ledger-it, ta lërë atë rol, mos të pranojë ta luajë. Sepse ai personazh është i mallkuar dhe të çmend. Edhe vetë Jack Nickolson kur mbaroi xhirimet e të njëjtit personazh, pati qenë shumë keq psikologjikisht. A është vërtet kështu siç thotë apo…e gjitha i vinte nga inati, ndoshta ndoshta edhe xhelozia, për faktin se Heath Ledger i mori një nga rolet më të veçanta që kishte krijuar Nickolson në karrierën e tij? Vështirë të dilet në një konkluzion.

Heath Ledger humbi jetën ndërsa ishte në mes të xhirimeve të filmit të Terry Gilliam. Ky i fundit ishte mik personal i tij e dhe pse filmi i mbeti në mes, ai nuk i anulloi xhirimet por ndryshoi skenarin duke bërë që roli i Heath nëpermjet një pasqyre magjike në film, të ndërronte pamje. Dhe kështu ftoi që të vazhdonin rolin në film miqtë e të ndjerit, Johnny Depp, Colin Farrell dhe Jude Laë, në formë homazhi. E njëjta gjë ndodhi edhe me imazhin e Brandon Lee që vdiq teksa xhironte filmin “Korbi”.

E nëse në jetën reale Heath Ledger vdiq nga një personazh imagjinar, në rolin e tij të fundit ai u shndërrua në një të tillë…