Aktualitet

“I mbytur” nga balta, shpëtohet mrekullisht elefanti afrikan!

Shpëtohet mrekullisht një elefant afrikan pasi ishte fundosur krejtësisht nga balta thithëse në një rezervat natyror në Kenia. Doktori vendas Kieran Avery ishte pjesë e grupit të vogël që realizuan shpëtimin dramatik të elefantit femër, pasi u bllokua në baltën e ujërave pranë një dige.

Veterineri, gjithashtu aktivist i mbrojtjes së botës së egër, realizoi fotot e elefantit pasi u njoftua nga komuniteti për kafshen e bllokuar në zonën Isiolo.

Një grup punonjësish dhe vullnetarë vendas u bashkuan për shpëtimin e kafshës duke lidhur litarë rreth saj dhe më pas duke e tërhequr butësisht me një traktor, derisa e çliruan nga ‘burgu’ i baltës. Pas shpëtimit kafsha qëndroi disa minuta për t’u qetësuar dhe më pas nisi të nxitonte drejt tufës së saj, që e kishin lënë prapa.

Doktori tha: Një telefonatë erdhi nga komuniteti që na njoftoi për elefantin e bllokuar. Ne kemi pasur eksperienca të mëparshme të ngjashme me elefantët dhe u mobilizuam menjëherë për të ndihmuar.

Ajo kishte ngecur vetë në baltën e trashë ndërsa tufa e saj kishte avancuar larg digës. Elefanti ishte i stresuar dhe i ezauruar nga lodhja, por ajo kishte ende ndjenjën e rezistencës për të shpëtuar dhe kjo ishte kryesorja.

Për të çliruar një elefant duhet të kesh mjetet e duhura dhe kjo përfshin traktorin, litarë të fortë dhe njohuri të sjelljes së elefantit.

Grupit iu deshën rreth një orë e gjysmë për të realizuar çlirimin e elefantit.

Më tej ai shtoi: Mënyra më e mirë për lidhjet është që litarët të vendosen rreth pjesës së pasme, poshtë bishtit. Traktori më pas ushtron me kujdes tension për të pozicionuar litarët dhe largimin e elefantit nga balta drejt tokës së fortë. Nuk duhet një grup i madh njerëzish, por vetëm disa me mjetet e duhura.