Aktualitet

Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dy atentateve në Vlorë!

Diego Haxhiraj, i njohur edhe me emrat Teki Haxhiraj e Diego Hanaj është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i sulmit të mbrëmshëm me armë ndaj dy policëve që udhëtonin me një automjet privat në Vlorë. Ai qëlloi në drejtim të makinës me të cilën lëviznin efektivët Angjelo Breshani e Nako Mehmetaj, ky i fundit punonjës i Policisë Kufitare në Sarandë, ndërsa Breshani i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë.

Fatmirësisht, shpëtuan pa lëndime e në dëshminë e dhënë para hetuesve, deklaruan se “parakaluan makinën “Volkswagen” që drejtonte Haxhiraj dhe duke menduar se i bënë pritë, i qëlloi”.

Për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen, po hetohet në disa pista. Raportohet se pas të shtënave, “Audit” me xhama të zinj të dy policëve, iu hoqën targat, veprim që gjithashtu ngre dyshime.

Ndërkohë, sa i përket të dyshuarit, rezulton person me precedentë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe në janar të këtij viti iu bë atentat në lagjen “Pavarësia” të qytetit bregdetar jugor. Ai mbeti i plagosur në pjesën e dorës.