Pasò

Ilir Meta peshëngritës?! Ja pse e braktisi shtangën

I ftuar në emisionin “Pasó” në Top Albania Radio ditën e sotme ishte Presidenti Ilir Meta. Në pjesën e dytë të intervistës Meta ka zbuluar edhe shkakun se pse nuk e vazhdoi aktivitetin e peshëngritjes.

Denis Dyrnjaja e pyet: Zoti President, ju nuk tërhiqeni kollaj nga sfidat. Përse e latë peshëngritjen. Pse duket si një sfidë e lënë përgjysmë?

Po, kjo është shumë e vërtetë. Arsyeja ka qenë një… dhe vetëm një: Isha i paduruar për t’u bërë kampion! Kjo është e vërteta. Kjo nuk ishte një çështje aq e lehtë në atë kohë apo e thjeshtë. Kërkonte kohën e saj. Unë arrita të merrja pjesë në disa Kampionate Kombëtare, pavarësisht se bëja stërvitjen me profesor Ferid Berberin që nga dita e parë, i cili ishte trajner i “Dinamos” dhe i Ekipit Kombëtar.

Pata një përparim shumë të mirë për gati dy vite, por pretendimet e mia ishin shumë të forta. Ndërkohë që ambiciet e mia ishin shumë të larta në drejtim të shkollës, të universitetit dhe të arritjeve të tjera.

Jam shumë i lumtur që u mora me peshëngritje në ato vite, sepse kuptova në radhë të parë realitetin e asaj kohe, të asaj periudhe që e kisha të vështirë ta kuptoja në shkollë, në lagjen ku banoja apo në rrethin shoqëror. Dhe së dyti sporti i peshëngritjes më dha mjaft durim, vullnet, këmbëngulje.

Gjithashtu Meta nuk lë pa përmendur faktin se peshëngritja i ka dhuruar shumë elementë të rëndësishëm në jetë, si durim, vullnet dhe mbi të gjitha një karakter të fortë.