Bota

Intensifikohen luftimet në Lindjen e Mesme, Izraeli: Vendosim ne kur duhet qetësi!

Nga Rripi i Gazës, militantët palestinezë hodhën qindra raketa në drejtim të Izraelit, ndërsa Izraeli u kundërpërgjigj me një seri sulmesh ajrore. U vranë 23 palestinezë, përfshirë tre udhëheqës të lartë militantë e të paktën 10 civilë. Edhe pse Egjipti ka ndërmjetësuar një armëpushim mes palëve, luftimet u intensifikuan mbrëmë dhe asnjë prej tyre nuk dukej e gatshme të tërhiqej.

Sot ushtria izraelite nisi një sulm ajror që kishte shënjestër komandantin Ali Ghali i fraksionit militant Xhihadi Islamik, i cili ishte fshehur në një apartament në Rripin e Gazës. Ai dhe dy militantë të tjerë u vranë nga ky sulm ajror në një kompleks banimi në lagjen Khan Younis, të ndërtuar nga Katari.

Ushtria deklaroi se Ghali ishte i përfshirë në sulmet e fundit me raketa kundër Izraelit, por grupi militant nuk e ka komentuar deklaratën. Gjatë një fjalimi televiziv, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pretendoi se Izraeli u ka dhënë një goditje të ashpër militantëve.

Ky raund nuk ka përfunduar. Terroristëve dhe atyre që i dërgojnë, ne u themi: Ju shohim kudo! Ju nuk mund të fshiheni dhe ne zgjedhim vendin e kohën për t’ju goditur. Izraeli do të vendosë kur të rivendoset qetësia.

Në të gjithë Izraelin jugor e qendror u dëgjuan sirenat që paralajmëronin sulmet ajrore. Luftimet e javës së fundit mes palëve janë ashpërsuar, duke e shtyrë rajonin më pranë një lufte të plotë.

Mund të thuhet edhe se ato ishin më të ashprat në muajt e fundit, duke rritur rrezikun e një lufte në shkallë të gjerë. Por, ka patur sinjale se të dyja palët po përpiqeshin të tregonin përmbajtje.

Izraeli nuk e sulmoi Hamasin, grupin militant në pushtet, por përkundrazi u fokusua në fraksionin më të vogël dhe më radikal të Xhihadit Islamik. Hamasi nuk u përfshi në konflikt.

Izraeli dhe Hamasi kanë luftuar katër luftëra që kur grupi militant islamik mori kontrollin e Gazës në vitin 2007.