Bota

Izraeli mbledh kabinetin e sigurisë, diskutohen kushtet për armëpushim me Gazën!

Konfliktit Izrael-Gaza mund ti vijë fundi të paktën përkohësisht pasi palët janë shumë afër një marrëveshjeje armëpushimi. Kësaj here edhe Izraeli është bindur për armëpushim pas thirrjeve e presioneve ndërkombëtare duke mbledhur sot kabinetin e sigurisë.

”The Jerusalem Post” raporton se sot në kabinet do të diskutohen kushtet e armëpushimit me Gazën. Nga ana tjetër edhe nga Hamasi shprehen të sigurt se do të ketë një armëpushim.

Presidenti i SHBA, Joe Biden gjatë një bisede telefonike me Netanyahun ditën e djeshme duket se e ka bindur këtë të fundit për armëpushimin. Tensionet në mes të dyja palëve janë rritur për shkak të dëbimit eventual të familjeve palestineze nga Jerusalemi Lindor që aty të kthehen hebrenjtë.

Ushtria izraelite po kryen sulme ajrore që nga 10 maji, duke lënë pas gjurmë masive shkatërrimi. Zyra të medias dhe qendra shëndetësore po ashtu janë ndër strukturat e shënjestruara.

Shumë shtete reaguan pro Izraelit apo pro Palestinës pas luftimeve në Gaza dhe përplasjeve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.