Celebrities Lancio Music Showbiz

“Jam në luftë me veten…”/Sardi Strugaj zbulon më shumë detaje rreth karrierës së tij dhe përpjekjeve në muzikë!

I ftuar në emisionin “Lancio” nëpërmjet një lidhjeje telefonike ka qenë këngëtari i njohur Sardi Strugaj. Ai ka zbuluar më shumë detaje jo vetëm nga eksperienca më e re në spektaklin e kërcimit “Dancing With The Stars” por edhe nga muzika dhe karriera e tij e suksesshme.

Artisti i njohur ka treguar më shumë rreth projektit të tij më të ri që ka sjellë në bashkëpunim me Marsela Çibukajn.

Fillimisht bashkëpunimi me Marselën ka ardhur shumë natyrshëm dhe si rezultat i një pune në fakt të gjatë rreth 1-vjeçare. Një artiste shumë e mirë që unë  e kam vlerësuar gjithmonë dhe jam shumë i lumtur që u bë pjesë e bashkëpunimit duke i dhënë një ngjyrë shumë të bukur këngës. Pjesa tjetër pastaj, realizimi dhe çdo gjë ka shkuar shumë mirë dhe ka shkuar fiks në pritshmëritë e mia. Kam pasur pritshmëri që kjo këngë do ecë dhe do pëlqehet dhe kështu ka dalë. Më vjen vërtet mirë për këtë. 

A kishte vetë Sardi një ide në lidhje me realizimin e të gjithë videoklipit?

Përgjithësisht së bashku me grupin e punës, me studion ku unë bëj pjesë por edhe me kompaninë filmike që punoj prej kohësh kemi mbajtur këtë lloj mesazhi dhe “strategjie” që të mbajmë video që t’i shkojnë muzikës që unë bëj dhe të jenë video të thjeshta, të kapshme dhe nostalgjike, të mos ketë shumë elementë që ne shohim çdo ditë. 

Një deklaratë që mori mjaft vëmendje ishte një InstaStory nga ana e artistit ku bënte një thirrje publike për mbështetje nga publiku. Çfarë i mungon publikut shqiptar për artistët të cilët nuk bënë shumë zhurmë vetes dhe nuk janë le të themi gangsterë që i këndojnë vetëm armëve, të fortëve dhe lekut të shpejtë?

Me thënë të drejtën jam nisur nga disa histori që kam dëgjuar dhe që vazhdoj të dëgjoj nga kolegë të mi, artistë shumë të mirë që kanë lënë ose duan të lënë muzikën dhe për t’ju drejtuar një jete më të mirë jashtë kufijëve. Kjo do të thotë që shpresa ju ka vdekur, që mund t’ia dalin me sukses dhe me muzikë të mirë.

Cila mendon që është pika e fortë e tij në lidhje me këtë?

Unë nuk mendoj që ia kam dalë akoma. Jam në luftë me veten që të përmirësohem çdo ditë dhe të sjell gjëra të reja, të mos bëhem i përsëritur. Të sjell edhe zhanre dhe variabla të ndryshëm. 

Sardi gjithashtu ka zbuluar në Top Albania Radio se ka disa projekte me të cilat po merret dhe që janë në zhvillim, për të cilat ai theksoi se po punon fuqishëm që gjatë 2024 t’i realizojë me sukses.