Sport

Java e 30-të e Superiores, luhen tre ndeshje/Mes tyre Vllaznia-Tirana!

Kalendari i ndeshjeve të “Abissnet Superiores”, sot dhe nesër luhen të ndara në dy ditë përballjet e Javës së 30-të. Këtë të shtunë, dueli i parë i orës 15:00 është Egnatia-Laçi. Klubi rrogozhinas duhet të luajë një ndeshje larg stadiumit të shtëpisë, duke u spostuar në stadiumin “Partizani”.

Ky mund të jetë një avantazh për Laçin që nga vendi i gjashtë është në ndjekje të një suksesi e që direkt do ta katapultonte në zonën europiane ku për momentin ndodhen Vllaznia dhe Egnatia me 3 pikë më shumë. Gjatë këtij sezoni, në pesë sfida mes Kampionatit e Kupës, Laçi ende nuk ka arritur sukses ndaj rrogozhinasve.

Në orën 18:00, njëkohësisht nisin dy takimet Teuta-Erzeni (në Niko Dovana) dhe Vllaznia-Tirana (në Loro Boriçi). Derbi i Durrësit mes Teutës dhe Erzenit është një nga ndeshjet më interesante të kësaj fundjave futbollistike.

Vetëm 3 pikë i ndajnë dy skuadrat në renditjen e përgjithshme. Shijakasit po kalojnë një moment jo shumë pozitiv, pa fitore në katër sfidat e fundit. Grupi i djemve të drejtuar nga Kapllani është më i plotë, pasi rikthehen Alan e Iljazi, të dënuar nga numri i kartonëve.  Në anën tjetër, Edi Martini e ka të gjithë skuadrën në dispozicion dhe i vetmi në dyshim është Erando Karabeci.

Për Teutën kjo është sfidë delikate pasi një hap fals mund ta ndërlikojë situatën me Byslin që ndjek me 2 pikë më pak. Durrsakët kërkojnë të shmangin edhe zonën play-off.

Vllaznia-Tirana është kryendeshja e Javës së 30-të e Kategorisë Superiore. Sfida që bardheblutë kryesues i përball me kuqeblutë në vendin e katërt starton në orën 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Trajneri i bardhebluve, Orges Shehi u shpreh se “nuk janë në presion”, ndërsa tekniku i shkodranëve, Goce Sedloski vuri në dukje se “është një ndeshje që kërkon shumë”. Kundërshtarin e quajti “shumë të fortë”, por se duhet të jenë të kujdesshëm, të guximshëm.

Të dielën e 23 prillit zhvillohen Kastrioti-Kukësi (ora 15:00, në Kamëz) dhe Partizani-Bylis (18:00, në stadiumin Partizani).