Rajoni

Jo vetëm Kosova, edhe Maqedonia e Veriut zhvillon sot zgjedhjet lokale!

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë thirrur t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e 80 komunave e këshillat komunalë, si dhe të Shkupit që është njësi e veçantë e pushtetit lokal. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të drejtë vote kanë 1.824.864 persona, të cilëve për herë të parë iu mundësohet votimi me sistemin e ri biometrik: identifikimi i votuesve bëhet përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”. Por për shkak të tij, në disa vendvotime ka probleme teknike e kjo nënkupton se mbyllja e qendrave do të bëhet pas orës 19:00.

Në kuadër të masave anti-COVID, janë të domosdoshme maskat mbrojtëse, të ruhet distanca e të bëhet dezinfektimi. Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00 ndërsa rezultatet pritet të publikohen në faqen elektronike të KSHZ-së. Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë, kryeson Shkupi me 12 dhe janë 577 lista këshilltarësh, me 10.600 kandidatë. Për herë të parë ka numër të lartë të kandidatëve të pavarur, 24. Nga kandidatët për kryetarë komunash, 25 janë gra. Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut zhvillohen me dy raunde. Nëse në të parin, asnjë nga kandidatët nuk merr mbi 50% të votave, në balotazhin e 31 tetorit kalojnë dy emrat më të votuar në raundin e parë.

Në këto zgjedhje, gara kryesore zhvillohet mes dy blloqeve politike: LSDM-së dhe BDI-së në pushtet e partive opozitare: VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët e Alternativa. Për forcat politike shqiptare, rivaliteti përqëndrohet në Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibër e disa komuna rurale me shumicë shqiptare. Beteja mes partive maqedonase fokusohet në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi e të tjera komuna më të vogla. Aktualisht, shumica e tyre drejtohen nga Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev ndërsa ato ku jeton një numër më i madh shqiptarësh, nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Zgjedhjet mbikëqyren nga 1.100 vëzhgues vendorë e 217 të OSBE-ODIHR/it. Por, monitorues ka gjithashtu nga ambasada të huaja, të akredituara në Maqedoninë e Veriut.
Në të 3.480 vendvotimet ka pjesëtarë të forcave policore për sigurimin e një procesi të rregullt zgjedhor. Një ditë më parë, policia arrestoi 4 të dyshuar për shpërndarje të parave, për blerje votash. Po dje, të drejtën e votës e shfrytëzuan të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, invalidët, si dhe të infektuarit me koronavirus. Zgjedhjet e sotme për pushtetin lokal, janë të 7-at radhazi që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, në vitin 1991.