Aktualitet Politikë

Kandidatët e Berishës/ PD: As ai, dhe as ata nuk kanë lidhje me PD-në. Garo: Koha kur paguhej haraçi te Lulzim Brava ka mbaruar!

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me listën e kandidatëve të publikuar nga Grupi i Rithemelimit, për zgjedhjet e 6 marsit.

Në reagimin e PD, thuhet se emrat e shpallur sot nga Sali Berisha nuk janë kandidatë të Partisë Demokratike.

Sipas PD, ish kryeministri Berisha po përpiqet të dëmtojë PD për interesat e tij personale.

Partia Demokratike njofton gjithë simpatizantët dhe votuesit e saj se emrat e shpallur sot nga grupimi i Sali Non-Grates, nuk janë kandidatë të PD. Me farsën e rradhës, Berisha po përpiqet të dëmtojë PD për interesat e tij personale. Berisha mund të përdorë çdo njeri për hallin e non gratës së tij, por as ai, dhe as ata nuk kanë më asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky është përdorimi dhe mashtrimi i rradhës që Sali Berisha u bën edhe atyre pak demokratëve që nuk e kanë kuptuar akoma hallin e tij, thuhet në reagimin e PD.

Floriana Garo i përgjigjet PD-së: Koha kur paguhej haraçi te Lulzim Brava ka mbaruar!

Drejtoresha e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, Floriana Garo i është përgjigjur deklaratës së PD lidhur me kandidaturat për zgjedhjet e 6 marsit.

Garo thekson se Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD sot ka respektuar vullnetin dhe iniciativen e figurave të Partisë Demokratike për të kandiduar.

Sipas Garos, në ‘zgjedhjet e pjesshme te 6 Marsit, demokratët do të përfaqësohen të lirë dhe me dinjitet me kandidatët që kanë përzgjedhur vetë dhe jo me kukullat e marra peng nga Edi Rama’

Komisioni i Perkohshem i Rithemelimit te PD sot ka respektuar vullnetin dhe iniciativen e figurave te Partise Demokratike per te kandiduar. Neser do te jene demokratet qe per here te pare do kene mundesi te zgjedhin vete kandidatet e tyre permes parimit nje anetare nje vote! Koha kur kandidatet blinin te drejten e kandidimit duke paguar haraçin tek Lulzim Brava ka marre fund. Ne zgjedhjet e pjesshme te 6 Marsit, demokratet do te perfaqesohen te lire dhe me dinjitet me kandidatet qe kane perzgjedhur vete dhe jo me kukullat e marra peng nga Edi Rama! Neser votojme kandidatet e fitores dhe opozites se vertete! Vetem te bashkuar do sjellim shprese dhe fitore, shkruan Garo.