Sport

Kategoria Superiore, sot dy përballje të forta, luhet për fitore dhe kreun

Sot në orën 16:00 në SuperSport vjen një përballje e fortë mes Kukësit dhe Tiranës. Të dyja skuadrat deri tani kanë bërë një sezon nën pritshmëritë e tyre. Tirana ndodhet në vendin e 5 me 42 pikë, 7 pikë larg kreut, ku edhe pse ende nuk ka abdikuar i duhet të bëjë një mrekulli në këtë fazë të katërt për të mbrojtur titullin.

Ndërkaq, Kukësi që ndodhet një shkallë më poshtë me 7 pikë më pak në klasifikim, u rikthye te një fitore që i mungonte prej plot 7 ndeshjesh ndaj Kastriotit, duke fituar pak qetësi pasi rreziku për t’u përfshirë në luftën e zonës së poshtme të tabelës është konstant.

Gjithsesi pavarësisht klasifikimit, askush nuk mund të mohojë faktin se bëhet fjalë për dy skuadra me shumë kualitet, me organika ndër më të mirat të kampionatit që për një arsye apo një tjetër nuk kanë mundur të marrin maksimumin në fushën e blertë.

Ndërkohë po në orën 16:00, në “Air Albania” luhet sfida Partizani-Kastrioti. Për trajnerin e të kuqve, Ilir Daja sot luhet për fitore për të vazhduar formën e mirë të treguar në ndeshjet e fundit.

“Kemi treguar stabilitet dhe ekuilibër në lojë, ndërsa së fundi kemi gjetur edhe golat me sulmuesit, por ndaj Kastriotit duhet ta vlerësojmë maksimalisht ndeshjen për të marrë 3 pikët. Është një kundërshtar shumë i fortë, që impenjohet shumë, ndaj duhet të bëjmë kujdes, pasi kemi vuajtur jo pak ndaj kundërshtarëve ku kemi qenë të dënuar të fitojmë. Për më tepër kemi dy fitore dhe një humbje në fillim të kampionatit me Kastriotin”, u shpreh trajneri Daja.

Duke folur për formën e skuadrës, tekniku i të kuqve pranoi se grupi i lojtarëve është i plotë nuk ka mungesa teksa në fushë do t’i besojë skuadrës që mposhti Bylisin që duket se është dhe formacioni tip që ai mendon se mund të bëjë më të mirën.

Një zgjedhje e tillë lë sërish mënjanë Ferhan Hasanin i cili ishte blerja më e bujshme në Kategorinë Superiore në merkaton e janarit