Politikë sport

Konkursi për stadiumin e ri të Vlorës, Rama: Në bisedime me një tjetër klub të madh futbolli

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për Projektin e Stadiumit të Ri “Flamurtari” tha se është duke folur me një tjetër klub të madh futbolli për të bashkëpunuar me vendin tonë, pas firmosjes së projektit për krijimin e akademisë dhe të shkollës së futbollit të Manchester City-t në Durrës.

Kreu i PS-së tha se Vlora do të ketë një akademi futbolli me standardet më të larta ndërkombëtare me mbështetjen e një tjetër klubi të madh futbolli në Europë.

Sot po prezantohen publikisht tre projekte para një jurie me përfaqësues nga bota e arkitekturës, urbanistikës bashkëkohore, nga tre studio të arkitekturës bashkëkohore: FUKSAS (Itali), OPPENHEIM Arkitekturë (SHBA & Zvicër) dhe XDGA (Belgjikë).

Kryeministri Edi Rama: “Përshëndetje të gjithëve! Kjo është finalja e tretë e këtij procesi transformimi të infrastrukturës të futbollit, por edhe të teksturës urbane të tre qyteteve të rëndësishme, Korçës, Durrësit dhe sot Vlorës, të cilat me këto ndërhyrje ne synojmë që të fitojnë, jo vetëm stadiume të reja, por edhe qendra të reja të jetës sociale dhe të jetës ekonomike, të cilat do të rrisin fuqinë e këtyre qyteteve në të gjitha aspektet dhe do t’iu ofrojnë, jo vetëm banorëve, por edhe vizitorëve e turistëve më shumë përmes këtyre projekteve.

Dy projektet e para fituese dhe dy finalet e para kanë pasur një interesim shumë të madh, qoftë në media, qoftë në rrjetet sociale dhe ne kemi marrë shumë reagime, ndërkohë që patjetër kanë ngjallur edhe më shumë oreksin e qyteteve të tjera, të cilat duan t’i bashkohen këtij treni.

Unë dua ta them që këto tre stadiume nuk janë fundi i një përpjekje të nisur së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit, por janë vetëm vazhdimi. Pas këtyre tre projekteve ne do të ulemi përsëri me presidentin, Federatën dhe do të studiojmë se cilët do të jenë vagonat e tjerë që do t’i bashkohen këtij treni. Këtij treni që lokomotivën e ka te stadiumi “Air Albania” në Tiranë, por që ka stadiumet e reja të Shkodrës, të Elbasanit, të Kukësit dhe së shpejti do të hapim edhe kantierin e stadiumit të dytë të Tiranës, “Selman Stërmasi’’, përsëri me një partneritet publik-privat dhe falë një prej studiove më të mëdhaja në Europë, studios OMA nga Holanda.

Vlora prej kohësh e kërkon një stadium siç i ka hije, por sot është koha për ta ndërtuar sepse ju e dini shumë mirë që Vlora kaloi një periudhë shumë të zymtë braktisjeje dhe izolimi dhe vetëm në vitet e fundit ajo është ngjitur në një tjetër nivel dhe është kthyer në një qytet gjithmonë e më të vizituar, i cili edhe pse ishte buzë detit, vizitohej shumë pak dhe përgjithësisht shërbente vetëm si rrugëkalim për të shkuar më tutje në jug, pasi realisht, në Vlorë nuk kishte gjë tjetër veç kantiereve të ndërtimit të pallateve, të cilat u kthyen pak nga pak edhe në një stok të frikshëm që nuk shitej.

Sot është komplet e kundërta. Sot në Vlorë është rritur në mënyrë të vazhdueshme vlera e pronës.

Sot në Vlorë është rritur në mënyrë të vazhdueshme çmimi i pronës dhe i apartamenteve dhe i hapësirave për të bërë biznes dhe sot janë krijuar kushtet që, duke bashkuar interesin publik me interesin privat, në bazë të modelit që kemi ndërtuar me shumë sukses së bashku me Federatën Shqiptare të Futbollit në Tiranë, të ndërtojmë këto stadiume të reja.

Nuk dua të zgjatem më shumë. Dua të shtoj vetëm që për ne sporti tanimë është jo, vetëm një prioritet i shkruar, por është një prioritet i shpallur përmes veprimit, qoftë në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, qoftë me Komitetin Olimpik Shqiptar, ne do të vazhdojmë të shtyjmë përpara nga njëra anë për ta forcuar çdo vit e më shumë lëvizjen e re sportive në shkolla, e cila ka nisur dhe po merr gjithmonë e më shumë mbështetje nga komunitetet, nga prindërit, nga fëmijët. Me angazhimin e mbi 600 skuadrave të krijuara në shkolla për basketboll, volejboll, djem dhe vajza, qoftë nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të infrastrukturës sportive me Federatën e Futbollit për ndërtimin e sa më shumë fushave.

Sot me këto stadiume, presidenti e ka theksuar në dy prezantimet e tjera dhe nuk e dëgjova ta përsëriste sot dhe po e përsëris unë, ne faktikisht krijojmë infrastrukturën futbollistike të standardeve të FIFA-s dhe të UEFA-s më të plotën në rajon edhe pse kemi ende shumë për të bërë. Krijojmë një infrastructure, e cila do të na shërbejë dhe do të bëjmë çmos që këto stadiume t’i përfundojmë në kohën e duhur për organizimin e kampionatit europian të futbollit për moshat U-18, pra për kombëtaret e të rinjve. E nga ana tjetër, me krijimin e akademisë dhe të shkollës së futbollit të Manchester City-t në Durrës, ne hapim një tjetër cikël për të ngjitur në një nivel të ri edukimin dhe unë jam duke folur me një tjetër klub të madh futbolli që të mund ta fusim në bashkëpunim me akademinë e re që po bën Sokol Kushta që të kemi dhe në Vlorë një akademi futbolli me standardet më të larta ndërkombëtare dhe me mbështetjen e një tjetër klubi të madh futbolli në Europë.

Kryetarët e rinj të bashkive mbas 14 majit do të kenë një presion shumë të madh nga unë për të krijuar sa më shpejt kushtet që Federata Shqiptare e Futbollit të mund të fillojë me investimet e tjera për fushat për fëmijët, ndërkohë që në Vlorë duam të krijojmë një kampus sportiv që t’i shërbejë Flamurtarit, por të mund të akomodojë dhe skuadra të huaja për fazat përgatitore të verës dhe dimrit. Kjo është pak a shumë panorama e ambicieve dhe pritshmërive.

Dua të falenderoj të gjitha studiot që shprehën interes edhe për këtë konkurs. Ishin shumë. Kemi seleksionuar tre studio me prestigj të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilat janë këtu për të prezantuar projektet e tyre si finalistë. Do të kisha dashur që t’i bënim të treja projektet. T’i zgjidhnim të treja studiot, por duhet të zgjedhim vetëm një prej tyre dhe për këtë na ndihmon një juri tjetër e nivelit më të lartë me përfaqësues nga bota e arkitekturës, urbanistikës bashkëkohore, prestigji i të cilëve nuk vihet në diskutim. Unë dua të falenderoj edhe anëtarët e jurisë që kanë ardhur nga vende të ndryshme për të na ndihmuar në këtë zgjedhje shumë të vështirë Shumë faleminderit dhe vështirësi të tilla paçim gjithmonë e më shumë në rrugën tonë për të vazhduar ta transformojmë Shqipërinë edhe në aspektin e infrastrukturës sportive, të jetës sportive dhe si destinacion edhe për sportin. Faleminderit”!