Rajoni

Kosovë, sulmohet një pikë kontrolli e policisë në Mitrovicën e Veriut!

Sulmohet me mjete shpërthyese një kioskë që përdorej si pikë kontrolli nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Nuk raportohen të lënduar. Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani i tha Radios Evropa e Lirë se në momentin e sulmit nuk kishte policë. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit.

Mëngjesin e sotëm ka ndodhur një shpërthim që besohet të jetë shkaktuar prej një mjeti pirotektik, të kombinuar me material ndezës. Si pasojë e këtij sulmi është dëmtuar kioska që përdorej nga policia.

Kohët e fundit janë shpeshtuar sulmet me mjete shpërthyese në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.  Kujtojmë se tre ditë më parë, më 26 qershor, objekti komunal i Mitrovicës së Veriut u sulmua me granatë dore, duke shkaktuar dëme materiale.

Për këtë rast, autoritetet vazhdojnë të hetojnë për “kryerje të veprës terroriste”. Po ashtu ka patur sulme me shok-bomba në afërsi të stacioneve policore në Zveçan e në Mitrovicën e Veriut.

Gjithçka ndodh në kohën kur tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, ditë kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, hynë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut, të ndihmuar nga Policia e Kosovës.

Popullata serbe që bojkotoi zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, kundërshtoi veprimin e kryetarëve dhe vazhdimisht ka zhvilluar protesta para ndërtesave në fjalë. Manifestimet kulmuan më 29 maj me përplasje të ashpra mes protestuesve e trupave të KFOR-it e pati të lënduar nga të dy palët.

Ndërkaq, bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet e të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri. Sot në Bruksel pritet që udhëheqësit europianë t’u bëjnë thirrje Prishtinës e Beogradit t’i ulin menjëherë tensionet e t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Nëse nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur e konstruktive do t’iu tërhiqet vërejtje për pasojat. Sipas një draft-dokumenti, pritet që Këshilli Europian të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.