Sport

Kupa e Shqipërisë/ Teuta eliminon Skënderbeun, siguron biletën për në gjysmëfinale!

Teuta ia ka dalë të sigurojë biletën për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë teksa ka mposhtur në Elbasan Arena, Skënderbeun me rezultatin 1-0, po aq sa edhe në sfidën e parë në Korçë. Goli vendimtar i ndeshjes u shënua në minutën e tetë të ndeshjes nga Rubin Hebaj teksa pati një episod në favor të durrsakëve që pas një kontakti mes Zguros dhe Qaqit në zonë, fituan 11-metërsh.

Nga pika e bardhë, shkodrani u tregua i saktë dhe mposhti gardianin Ruci (Hebaj ndëshkoi Skënderbeun edhe në ndeshjen e parë në Korçë). Në vazhdim, Skënderbeu provoi të reagonte teksa ishte Belajdi Pusi ai që shpërdoroi një rast të artë me Zguron që i pasoi në zonë, por sulmuesi u tregua i pavëmendshëm. Sakaq, në fraksionin e dytë, Skënderbeu i Migen Memellit provoi të reagonte teksa mundësia i erdhi Erlis Frashërit.

Gjithsesi, mbrojtësi anësor gaboi duke dalë huq në zonë. Ndërkaq, korçarët provuan edhe shijen e golit me anë të Dajan Shehit, por pak çaste më vonë goli u anulua prej sistemit VAR për shkak se mbrojtësi ishte në pozicion jashtë loje.

Në vazhdim, ndeshja nuk prodhoi raste të pastra, ndërsa për t’u përmendur edhe debutimi i Jahmir Hykës me Teutën në minutën e 84. Ndërkaq, rezultati nuk ndryshoi dhe në këtë formë, Teuta avancon në Kupë ndërsa Skënderbeu eliminohet dhe vëmendja e bardhekuqve tashmë shkon në kampionat aty ku situata për ta nuk është e lehtë.