Aktualitet

Masat anti-COVID, sërish kaos në Hanin e Hotit me punëtorët e kthyer!

Për të dytën ditë radhazi, në pikëkalimin e Hanit të Hotit vijon pengimi i punëtorëve sezonalë nga Shqipëria, të cilët nuk lejohen të hyjnë në Malin e Zi. Rreth 100 vetë nuk mund të kalojnë nëse nuk janë vaksinuar kundër koronavirusit apo nuk kanë një test PCR të 72 orëve të fundit.  E vetmja zgjidhje është bërja e tamponit për COVID pranë pikës doganore, por për punonjësit, kostoja e tij 23 euro është e papërballueshme, ndërsa i bëjnë thirrje qeverisë për ndërhyrje në zgjidhjen e situatës.

Edhe ata që i kanë bërë të dyja dozat e vaksinës duhet të presin 14 ditë për të kaluar kufirin, bazuar në masat e reja. Nga 500 deri në 600 persona mbajnë familjet duke punuar me sezonë në vendin fqinj.

Për ne kjo është shumë problematike pasi na kanë vënë edhe tamponin që kushton 25 mijë lekë e për ne është shumë e lartë kjo pagesë. Ne për aq punojmë sepse jemi punëtorë krahu, nuk kemi dobi.

Jam i vaksinuar me dy doza. Pala malazeze na kthen pas e tani e kanë bërë që duhet të kalojnë dhe 14 ditë pasi është bërë doza e dytë, i bëj thirrje Policisë së Shtetit të marrë masa.

Ne për 10-15 euro dalim të punojmë e këto duan 23 euro për tampon. E kam bërë vaksinën, dozën e parë. Dozën e dytë e kam më 9 tetor.

Nuk e kam bërë vaksinën, detyrohem të tregojmë tampon. Me këtë tamponin duan të na marrin paret kot.

Nga 14 shtatori, të gjithë qytetarët e huaj që duan të udhëtojnë drejt Malit të Zi duhet të paraqesin këto dokumenta:

1- Një vërtetim që kanë kaluar 14 ditë nga rivaksinimi, për vaksinat që jepen me dy doza, ose kanë kaluar 14 ditë nga vaksinimi për vaksinat që jepen me një dozë;

2- Një test PCR negativ Covid-19 jo më të vjetër se 72 orë, ose testin pozitiv PCR nga i cili kanë kaluar të paktën 14 ditë, por jo më shumë se 180 ditë;

3- Test negativ antigjen, jo më të vjetër se 48 orë;

Qytetarët e Malit të Zi dhe shtetasit e huaj me qëndrim të përkohshëm në Mal të Zi, të cilët nuk plotësojnë asnjë nga kushtet e mësipërme, duhet të karantinohen. Izolimi mund të ndërpritet pas një testi PCR negativ, pas ditës së gjashtë nga kalimi i kufirit.