Bota

Mban raporte të ngushta me Putin, ish kancelarit gjerman i kërkohet të largohet nga partia

Bashkëkryetari i partisë më të madhe të Gjermanisë i ka bërë thirrje ish-kancelarit Gerhard Schröder të largohet nga partia për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.

Lidhjet e Schröder-it me kompanitë në industrinë ruse të energjisë e kanë izoluar atë brenda Partisë Social Demokrate (SPD) të Olaf Scholz-it.

“Ai ka vepruar për shumë vite tani vetëm si një biznesmen dhe ne duhet të ndalojmë ta shohim atë si një burrë shteti më të vjetër, si një ish-kancelar,” tha Saskia Esken, një nga dy bashkëdrejtuesit e SPD.

“Ai i fiton paratë e tij me punë për kompanitë shtetërore ruse,” tha ajo për radion Deutschlandfunk, duke shtuar se Schröder “duhet” të largohet.

78-vjeçari është kryetar i bordit mbikëqyrës të kompanisë shtetërore ruse të energjisë Rosneft dhe gjithashtu ka qenë i përfshirë në projektet e gazsjellësit Nord Stream dhe Nord Stream 2.

Ish-kryeministri francez Francois Fillon ka dhënë dorëheqjen nga bordet e dy firmave ruse në shenjë proteste ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Schröder, i cili udhëhoqi Gjermaninë midis 1998 dhe 2005, ka injoruar thirrjet nga partia dhe nga Scholz, për të hequr dorë nga postet e tij.

Në komentet e fundit për New York Times, ish-kancelari deklaroi se vrasja masive e civilëve në Bucha “duhet hetuar” por shtoi se ai nuk mendonte se urdhrat do të kishin ardhur nga presidenti rus Vladimir Putin me të cilin ai kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë.

Schröder tha gjithashtu se ai nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen nga vendet e tij në bordet e kompanive ruse të energjisë.

Në një konferencë shtypi, Esken tha se komentet e bënë pozicionin e Schröder edhe më të paqëndrueshëm.

“Mbrojtja e tij ndaj Vladimir Putinit kundër akuzave për krime lufte është absurde,” tha Esken.

Heqja dorë nga postet e tij të energjisë ruse “do të ishte e nevojshme për të shpëtuar reputacionin e tij si një ish-kancelar dhe dikur me të vërtetë i suksesshëm, por për fat të keq, ai nuk e ndoqi këtë këshillë”, shtoi ajo.

Dega lokale e socialdemokratëve në qytetin e Hanoverit të Schröder-it thotë se ka marrë 14 kërkesa deri më tani për ta dëbuar atë.

Esken ka paralajmëruar se një procedim i tillë për të vendosur për përjashtimin e tij “duhet shumë kohë” dhe përballet me “pengesa shumë të larta”.