Bota

Mbi 75 mijë rusë të vrarë e të plagosur në Ukrainë!

“Më shumë se 75 mijë ushtarë rusë që luftonin në Ukrainë, besohet se janë vrarë apo plagosur”. Shifra jepet nga ligjvënësja amerikane, Elissa Slotkin dhe përbën gati gjysmën e numrit të trupave që Moska ka dërguar në Ukrainë, prej nisjes së pushtimit, më 24 shkurt. Slotkin foli për CNN-in, pas pjesëmarrjes në një takim me zyrtarë të Inteligjencës.

Ne u njoftuam se mbi 75 mijë rusë ose janë vrarë ose janë plagosur e kjo është shifër e madhe. Shuma të mëdha janë investuar në forcat e tyre tokësore, mbi 80 për qind duken të bllokuara apo të lodhura.

Viktimat mes ushtarakëve konsiderohen sekrete shtetërore në Rusi, edhe në kohë paqeje, ndaj Moska nuk i përditëson të dhënat. Sipas vlerësimeve të fundit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), rreth 15 mijë ushtarë rusë u vranë në luftime.

Slotkin, e cila kohët e fundit ka vizituar Ukrainën, tha se “periudha e ardhshme, nga tre deri në gjashtë javë do të jetë shumë e rëndësishme për drejtimin që pritet të marrë lufta”.

Mendoj se e kemi dëgjuar presidentin Volodymyr Zelensky se ukrainasit duan të godasin fort Rusinë para dimrit.

Nëse konfirmohen, këto shifra do të përbënin humbje të mëdha për Rusinë, ndërsa Ukraina çon përpara kundërofensivën në pjesët jugore të pushtuara nga Rusia, me qëllim marrjen e kontrollit të Khersonit. Ky qytet, me popullsi prej 290 mijë banorësh para luftës, aktualisht drejtohet nga një administratë e emëruar nga Moska. Khersoni ishte një prej qyteteve të para që ra në duart e forcave ruse, pas nisjes së luftës.

Në përditësimin më të fundit, Ministria britanike e Mbrojtjes deklaroi se “kundërofensiva ukrainase në Kherson po fiton”. Rikthimi i kontrollit të qytetit do t’iu krijonte ukrainasve një terren për të marrë edhe disa pjesë të tjera në brigjet e Detit të Zi. Inteligjenca britanike konfirmoi se ura Antonivskiy pranë Khersonit, që u dëmtua javën e kaluar, u godit sërish dje e tani mund të mos jetë e qëndrueshme për të kaluar. Rusia varet nga këto ura për të furnizuar zonat që ka nën kontroll.