Aktualitet

Ministria e Mbrojtjes: Rikthehet në normalitet, qarkullimi në Shkopet!

Në një tjetër raportim në lidhje me situatën më të fundit nga reshjet e shiut në vendin tonë, Ministria e Mbrojtjes informon duke iu referuar raportimeve të bëra nga strukturat e Mbrojtjes Civile në prefektura e në bashki, pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.

Ministria e Mbrojtjes pasqyroi situatën në disa zona të prekura nga reshjet me intensitet mesatar.

Në Lezhë, në aksin rrugor Skuraj-Burrel ka ndodhur rënie masive e gurëve dhe bllokim i rrugës. Aktualisht, rrugët janë pastruar dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet në fshatin Shkopet.

Në Mirditë, uji nga përroi Zmeja ka dalë nga shtrati në disa vende duke shkaktuar prezencë të ujit në oborret e disa banesave. Aktualisht, niveli i ujit është stabilizuar pas ndërhyrjes së strukturave lokale të emergjencave civile.

Në Vlorë ka pasur prezencë të ujit dhe inertesh në disa zona të vogla, por situata është në përmirësim dhe strukturat lokale të mbrojtjes civile po punojnë për normalizimin e plotë.

Në disa zona të tjera të vendit si në Kurbin, Kukës, Tropojë, Shkodër, Durrës dhe Sukth, janë raportuar disa vështirësi, por të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për të ndihmuar qytetarët.

Në Sukth u pezulluan shërbimet pasi ujërat hynë në mjediset e Qendrës Shëndetësore të kësaj zone të Durrësit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Emergjencave Civile dhe strukturave të Mbrojtjes Civile në prefektura dhe bashki, ndjek në kohë reale situatën duke koordinuar dhe bashkërenduar strukturat operacionale të pushtetit vendor dhe qendror për menaxhimin e çdo emergjence të krijuar.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon bashkive që të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje.

Ne ju kujtojmë se siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale. Në kohët e sfidave, unitet dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit janë thelbësore. Le të bëhemi një komunitet i përgjegjshëm dhe të jemi në ndihmë të njëri-tjetrit në çdo moment.