Celebrities Pardon My French

Monika Lubonja zbulon fjalët e para të mamasë së saj dhe të Teas, pas daljes nga “Big Brother Vip Albania”!

Monika Lubonja ishte një nga banorët më dinamik të këtij edicioni të parë të “Big Brother Vip Albania”. Ajo dhuroi gjithçka, nga të qeshurat dhe shakatë e shumta me banorët e tjerë, e deri te emocionet e forta gjatë spektaklit. Monika tregoi se nuk ka frikë të sfidojë moshën, dhe të përballojë më së miri bashkëjetesën me të tjerë VIP-a të moshave të ndryshme.

Lidhur me të gjithë rrugëtimin e saj emocionues, Monika u shpreh ditën e sotme në “Pardon My French” ku padiskutim u vu re forca që ajo ka shfaqur edhe gjatë qëndrimit në “BBV”.

Unë gjithmonë e kam thënë që do futesha gjithnjë në debate të forta, se për debate të thjeshta nuk e shikoja veten. Debat i fortë ka qenë Semi-Fifi, momenti i historisë së Ilirit mbi temën e tradhëtisë dhe për mënyrën si ata filluan ta gjykonin Ilirin dhe unë thashë mos të fusim histori nga jashtë, mos të lëndojmë njerëzit që nuk i përkasin kësaj shtëpie dhe të bëheshim më të ndjeshëm.

Por si e kanë përjetuar familjarët e Monikës këtë eksperiencë emocionuese?! Siç është vënë re dy nga njerëzit e saj më të shtrenjtë ishin pikërisht mamaja dhe vajza, dhe ditën e sotme ajo na tregon si e pritën ato Monikën pas daljes nga shtëpia më e famshmë në Shqipëri.

Mami ishte krenare, më ka puthur shumë. Më tha: “Më janë dukur ditët e pritjes si ato ditë kur prisnim babin të dilte nga burgu”. Ndërsa, Tea më ka çuditur. Ajo është shumë kritike dhe ne jemi shumë të kundërta në natyrë. Tea është e përmbajtur, analizon veprimet e veta, ndërsa unë ia lë çastit. Për herë të parë Tea më është hedhur dhe më tha që është krenare për mua. Gjëja e parë që më tha ishte: “Mami jam krenare që jam vajza jote.”

Gjithashtu, Monika na tregoi se ajo që i mungon më së shumti nga shtëpia e “Big Brother Vip Albania” janë të qeshurat dhe lojërat, teksa u shpreh se kishte momente të tilla që ajo harronte moshën e saj.