Bota

Në mesin e luftës Izrael-Hamas në Gaza, lideri i Hamasit sot viziton Iranin!

Mediat iraniane raportojnë se lideri i Hamasit palestinez, grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian do të udhëtojë drejt Teheranit për t’u takuar me zyrtarë iranianë. Press TV konfirmoi se vizita e Haniyehut është caktuar për ditën e sotme.

Televizioni libanez i drejtuar nga Hezbollahu, Al Mayadeen TV, raportoi se Haniyeh do të mbajë një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Republikës Islamike. Vizita e tij në Iran vjen vetëm një ditë pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit e Hamasit në Rripin e Gazës.

Për herë të parë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i dha OK-ein një dokumenti të tillë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleate të Izraelit e që më herët kishin vendosur veto ndaj rezolutave të prezantuara, abstenuan gjatë votimit të një dite më parë.

Rezoluta që kërkon kërkon “armëpushim të menjëhershëm” gjatë Muajit të Ramazanit e që do të çonte në një armëpushim “të qëndrueshëm”, u miratua pasi të gjithë 14 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit votuan pro dokumentit.

Një ndryshim qëndrimi ndaj aleatit në Lindjen e Mesme u pa që të premten, kur Uashingtoni prezantoi një rezolutë që kërkonte “armëpushim të menjëhershëm e të qëndrueshëm”. Por, u bllokua nga Rusia dhe Kina, së bashku me shtetet arabe që kritikuan tekstin, pasi argumentuan se në mënyrë eksplicite, aty nuk iu kërkua Izraelit që të ndalë fushatën ushtarake në Gaza.

Irani e ka mbështetur Hamasin në luftën me Izraelin, si pasojë e të cilës janë vrarë më shumë se 32.000 palestinezë në Gaza. Kjo shënon të dytën vizitë të Haniyehit në Iran që nga koha kur shpërtheu lufta më 7 tetor pasi pjesëtarët e Hamasit kryen sulm të beftë në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe rrëmbyer rreth 250 të tjerë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, e quajti rezolutën e djeshme “hap pozitiv”.

Një hap më i rëndësishëm është veprim efektiv për zbatimin e saj.

Hamasi e mirëpriti rezolutën, por tha se armëpushimi duhet të jetë i përhershëm. Shtetet e Bashkuara abstenuan nga votimi, duke nxitur mosmarrëveshje me Izraelin.