Auto & Moto

Në shtetin me më shumë banorë në botë prodhohet një motor elektrik për çdo 90 sekonda!

Një fabrikë “startup” në Hosur, një qytet në jug të Indisë, ka bërë bujë për shkak të rekordit që ka vendosur në linjën e prodhimit, duke bërë gati një motor elektrik për çdo 90 sekonda. Rezultati i këtij revolucioni në industri ka qenë rritje rekord e shitjeve. “Motorët po kalojnë me shpejtësi të çmendur nga karburanti te elektriciteti”,- thotë për CNN Tarun Mehta, CEO 33-vjeçar i kompanisë Ather Energy.

3 vite më parë kompania shiste rreth 200 motorë në muaj. Ndërsa tani, kjo shifër ka arritur në 15 mijë. Kjo është një strategji e mirëmenduar e shoqërisë indiane, për të modernizuar tregun e mjeteve personale të transportit, një industri që mendohet të kapë vlerën e 100 miliardë dollarëve deri në vitin 2030.

Në shtetin me më shumë banorë në botë, mjetet motorike me 2 ose 3 rrota janë më të përdorurit për transport personal, katër herë më shumë se makinat. Për të ndihmuar këtë industri, procedurat e regjistrimit janë lehtësuar dhe çmimi i motorëve elektrikë shkon deri në 1000 dollarë.

Kjo tendencë ka bërë që edhe kompani me peshë të madhe në treg, si Hero MotoCorp, prodhuesi më i madh në botë i mjeteve motorike me dy rrota, të investojnë në prodhimin e motorëve elektrikë. Vitin e kaluar në Indi u shitën 1 milionë motorë elektrikë.