Aktualitet

Operacionet e FRONTEX, nënshkruhet marrëveshje mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian!

Shqipëria dhe Bashkimi Europian nënshkruan sot një marrëveshje për aktivitetet operacionale të FRONTEX në vendin tonë.

Marrëveshja pritet të japë rezultate në luftën kundër krimit ndërkufitar dhe të rrisë bashkëpunimin mes Policisë Shqiptare dhe strukturave homologe evropiane.

Policia Shqiptare do të mund të adresojë më mirë çështjet e migracionit të parregullt drejt Shqipërisë.

Në emër të Bashkimit Europian, dokumenti u firmos nga Johannes Luchner, Zv.drejtor i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian dhe Álvaro Renedo Zalba, Ambasador i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit të BE.

Ambasadori spanjoll tha se marrëveshja do të ndihmojë në fuqizimin e bashkëpunimit me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili është një prioritet për BE-në. “Një mjet veçanërisht i fuqishëm në menaxhimin e kufirit konsiston në përpjekjet e përbashkëta dhe të harmonizuara prej të gjithë aktorëve, BE, agjencitë e saj, vendet anëtare, por gjithashtu edhe partnerët e saj të privilegjuar, të tillë si Shqipëria, një vend kandidat që në qershor 2014, procesi i integrimit të së cilës ka një natyrë strategjike, jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, por edhe për Europën si një e tërë”, tha ai.

Sipas Zv.drejtori të DG Home, operacionet e përbashkëta që vijojnë në Shqipëri që prej 2019 kanë sjellë rezultate vërtet shumë pozitive, sa i përket uljes së migracionit të parregullt e krimit ndërkufitar.