Personazhe që i kemi pëlqyer dhe mund të na kanë shenjuar periudha të ndryshme të jetës nëpërmjet artit apo ndikimit të tyre në publik, do të vijnë me një stil shumë personal interviste në “Ku Ke Humbur” me Jonida Aliçkollin. Për një periudhë kohe ata kanë qenë të famshëm e shumë të dashur nga publiku por kanë zgjedhur të tërhiqen nga karriera e tyre apo edhe daljet në ekran. E ftuar në episodin e kësaj të shtune ka qenë Xhoi Bejko, e cila me anë të një lidhje telefonike nga Kanadaja është rikthyer në këtë intervistë speciale për Top Albania Radio.
Edhe pse kishte shum vite në skenë, “Oqean” ishte i pari projekt personal që ajo solli pas shumë vitesh eksperiencë dhe me këtë këngë mori pjesë edhe në festivalin e muzikës moderne “Top Fest”.
Në fakt, unë kam marrë pjesë edhe në një apo dy “Top Fest” më përpara, por në qoftë se përmendim “Oqean” ka qenë më i suksesshëm. Tekstin në fakt e ka bërë Genti dhe ne në fakt na ndante një oqean dhe ishte domethënëse. Genti kishte ardhur këtej në Kanada. Nuk kishim nisur akoma të jetonim këtu, por Genti ishte ai që e bëri tentativën e parë për tu larguar. Ishte një periudhë e gjatë që ne kishim qenë veç e veç dhe bëri tektin e kësaj këngës. Dhe unë e kam ndjerë sigurisht. Të qenurit larg me Gentin në atë periudhë na ka ndikuar të dyve shumë. Është një këngë e dashur.
Si ka qenë kjo shkëputje e çiftit gjatë asaj periudhe?
Në Shqipëri kam ndejtur derisa bëmë këto vajtje-ardhje po themi kështu. Genti ka qenë në periudha më të gjata derisa na erdhi ai momenti që e vendosëm të dy së bashku që do e provonim bashkë këtë jetë të re.