Aktualitet Politikë

OSBE/ODIHR publikon raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 25 Prillit/ Ja pikat më kritike

OSBE/ODIHR ka publikuar sot raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 25 prillit.

Sipas raportit procesi ka qenë kryesisht transparent dhe i qetë, ndërsa ka nisur një numër i madh hetimesh pas pretendimeve për shitblerje votash.

Kjo u amplifikua përmes mbulimit pozitiv të institucioneve shtetërore në media. Pretendimet për shitblerje votash qenë të vazhdueshme gjatë fushatës dhe nisi një numër i madh hetimesh. Në numrin e kufizuar të qendrave të votimit dhe të vendeve të numërimit që u vëzhguan, procesi qe kryesisht transparent dhe i qetë. Zgjedhjet parlamentare u organizuan përgjithësisht mirë nga administrata zgjedhore. Komisioni i sapoformuar Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u përball me detyrime të reja të zgjeruara pas ndryshimeve të fundit ligjore. Pavarësisht vonesave, duke përfshirë vonesat në miratimin e rregulloreve kyçe dhe në fillimin e fushatës për edukimin e zgjedhësve, si dhe në trajnimin e stafit të qendrave të votimit, KQZ-ja arriti t’i përmbushë si duhet pjesën më të madhe të detyrimeve të saj. Ajo operoi me transparencë dhe mbajti seanca të hapura për publikun, të transmetuara në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të hapura për pjesëmarrjen e aktorëve. Administrimi zgjedhor në të gjitha nivelet gëzoi përgjithësisht besimin e aktorëve, shkruhet në raport.

Sipas ODHIR, sistemi i identifikimit elektronik të zgjedhësve ishte një masë për uljen e rasteve të votimit të dyfishtë, votimit familjar dhe të falsifikimit të identitetit të zgjedhësve.

Regjistrimi i zgjedhësve është pasiv, por në lidhje me saktësinë e listave të zgjedhësve nuk u ngrit asnjë shqetësim i konsiderueshëm nga bashkëbiseduesit e Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MNVZ). Sistemi i sapofutur në përdorim i identifikimit elektronik të zgjedhësve u vendos në të gjitha qendrat e votimit për ditën e zgjedhjeve. Shumica e bashkëbiseduesve të MNVZ-së shprehën vlerësim për këtë sistem të ri dhe u shprehën se e perceptonin si një masë për zbutjen e rrezikut të votimit të dyfishtë, votimit familjar dhe të falsifikimit të identitetit të zgjedhësve. Koha e shkurtër e prokurimit dhe e instalimit nuk krijoi mundësi për diskutime publike thelbësore, një komponent i rëndësishëm për garantimin e besimit të publikut. Numri total i zgjedhësve të regjistruar ishte rreth 3.5 milion, duke përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë vendit, sipas raportit të publikuar.

Fushatës i mungoi dinamika, sipas raportit, duke theksuar se mesazhet u fokusuan te drejtuesit kryesorë të partive dhe jo te diskutimet rreth çështjeve reale.

U respektua liria themelore e organizimit dhe subjektet zgjedhore patën mundësi të bënin fushatë lirisht, pavarësisht kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe zbatimit në mënyrë jokonsistente të gjobave për shkelje të rregullave. Fushatës i mungoi dinamika, duke qenë se mesazhet u fokusuan te drejtuesit kryesorë të partive dhe jo te diskutimet rreth çështjeve reale. Praktikat gjerësisht të përhapura të shitblerjes së votave vazhduan të përbënin problem. Rrjedhja e të dhënave personale sensitive, duke përfshirë edhe preferencat politike të zgjedhësve përbën shqetësim serioz dhe i bën zgjedhësit vulnerabël, sipas raportit .

Asnjë debat televiziv mes drejtuesve politikë nuk u bë dhe kjo nuk mund të mos i shpëtonte vëzhgimit të OSBE-ODHIR.

Gazetarët vazhdojnë të mbeten vulnerabël ndaj presionit dhe korrupsionit. Rregulloret që rregullojnë mbulimin mediatik të fushatës e ngushtojnë aksesin në media të partive më të vogla dhe të kandidatëve të pavarur. Transmetuesit u frenuan nga bërja e një mbulimi të thelluar dhe analitik të të gjitha subjekteve zgjedhore. Kjo, e kombinuar edhe me përmbajtjen e prodhuar nga vetë partitë në programet informative, e kufizoi mundësinë e zgjedhësve për të bërë zgjedhje të informuara. Fatkeqësisht, nuk u organizua asnjë debat televiziv mes drejtuesve politikë. Fatkeqësisht, nuk u organizua asnjë debat televiziv mes drejtuesve politikë, shkruhet në raport.

Ndërkohë janë nën hetim 30 raste që lidhen me shitblerje votash dhe masat anticovid nuk u respektuan.

Masat parandaluese të COVID-19 nuk u zbatuan mirë dhe distancimi social nuk u respektua gjithmonë, sidomos në qendrat me një numër të madh njerëzish që u vëzhguan. Fshehtësia e votës u respektua përgjithësisht në qendrat e vizituara të votimit.

Sipas tyre, në qendrat e votimit kishte djem që kontrollonin zonën dhe shihnin se kush votonte.

Në disa qarqe, MNVZ-ja vuri re grupe djemsh të mbledhur jashtë qendrave të votimit, që dukeshin sikur kontrollonin zonën dhe shihnin se kush votonte. Në qarkun e Shkodrës, vëzhguesit vunë re një person që tërhiqte dikë tjetër për ta futur në qendrën e votimit dhe, në momentin që ky i dyti ishte brenda qendrës së votimit, u udhëzua se për kë të votonte. Po në këtë qark, MNVZ-ja qe dëshmitare e një rasti të shpërndarjes së parave në afërsi të një qendre votimi, sipas raportit.