Sport

Partizani para detyrës për në raundin e dytë të Conference League/Laçi synon fitore përballë Iskras!

Eshtë një hap larg, por sonte në orën 20:00 në “Air Albania”, Partizani duhet të plotësojë pjesën e mbetur të punës për t’u kualifikuar në turin e dytë të Conference League-s. Një javë më parë, të kuqtë fituan 0-1 në Gjeorgji kundër Saburtalos, ndërsa në ndeshjen e kthimit i bëjnë punë dy nga tre rezultate, përfshirë barazimin. Avantazhi i Partizanit mund të kishte qenë më i thellë në ndeshjen e kthimit në rast se sulmuesit do t’i kishin përdorur më mirë rastet e krijuara. Trajneri Dritan Mehmeti:

Duhet të jemi më kujdesshëm përsa i përket 20 metrave të fundit. Duhet të dimë kur të ndahemi me topin dhe kur të futemi në driblim. Diferenca bëhet në këto detaje kur ti di të shërbesh apo ta finalizosh vetë aksionin.

Laçi viziton sot Podgoricën, me synimin për të siguruar fitore kualifikimi ndaj Iskras. Barazimi i javës së kaluar në “Elbasan Arena”, lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit. Skuadra e Shpëtim Duros ishte dominuese në takimin e parë dhe pritshmëritë janë maksimale që bardhezinjtë të marrin një fitore që do t’i çonte në raundin e dytë të Conference League-s.

Kurbinasit përfaqësojnë skuadrën që ka regjistruar nëntë pjesëmarrje nga edicioni 2010-2012, ndërsa në pesë sezonet e fundit është paraqitur çdo vit në kompeticionet e UEFA-s, duke kaluar nga një tur në katër raste minimalisht. Ndërkohë, sezonin e shkuar, Laçi eliminoi dy kundërshtarë e kështu regjistroi edhe paraqitjen më të mirë historike, në arenën ndërkombëtare.

Në ndeshjen e parë, Laçi tregoi më shumë cilësi, ndërsa faktori fushë nuk ka qenë përcaktues për bardhezinjtë, të cilëve nuk do t’u mungojë mbështetja e tifozëve, ndihmuar edhe nga fakti që bëhet fjalë për një distancë të shkurtër me Podgoricën.

Kurbinasit kanë koeficientin më të lartë nga skuadrat shqiptare dhe në takimin e kthimit, nuk ka diskutim që rriten dhe pritshmëritë se mund të arrihet kualifikimi. Por, në Mal të Zi gjërat mund të ndryshojnë dhe Iskra do të bëjë çmos për të prishur planet kurbinasve. Në rast kualifikimi, Laçi do të takohet në turin tjetër me skuadrën që kualifikohet nga çifti Petrocub- Floriana.

Nënkampionët e Shqipërisë do të luajnë gjithçka për gjithçka në ndeshjen që nis të luhet sonte në orën 21:00 të mbrëmjes. Muajin e kaluar, në Nyon të Zvicrës u hodh shorti e Laçi peshkoi malazezët e Iskrës.