Bota

Pas një shekulli, Parisi rikthen notin në lumin Sena!

Parisi është në fazën përfundimtare të një pastrimi historik e që së shpejti do të shohë notarët e zhytësit përsëri në lumin Senë. Një gjë e tillë ndodh kur ka mbetur edhe një vit nga zhvillimi i Lojërave Olimpike.

I ndaluar për një shekull për shkak të ujit të ndotur, noti në qytet është vendosur të jetë një nga trashëgimitë kryesore të lojërave e kjo falë një projekti rigjenerues prej 1.4 miliardë eurosh, i përshëndetur si një sukses.

Jo vetëm që tre ngjarje olimpike e paraolimpike triatlon, noti maratonë dhe paratriatlon janë planifikuar të zhvillohen në Senë, në qendër të Parisit, por deri në vitin 2025, tre zona noti në ajër të hapur do të jenë të aksesueshme nga ana e kalatës.

Pierre Rabadan, nënkryetar i Bashkisë së Parisit, përgjegjës për Lojërat Olimpike, u shpreh:

Kur njerëzit shohin atletë që notojnë në Senë pa probleme shëndetësore, ata do të jenë të sigurt. Ky është kontributi ynë për të ardhmen.

Ashtu si shumë qytete perëndimore, Parisi pati rënie drastike të cilësisë së lumit e kjo për shkak të ujërave të zeza industriale në rrjedhën e sipërme, si dhe kërkesave sanitare të një popullsie në rritje. Jeta ujore vuajti deri në atë pikë sa në vitet 1960 vetëm tre lloje peshqish u regjistruan në qytet. Në vitin 1923 autoritetet franceze morën masa e vendosën që të ndalonin notin.

Një nga problemet kryesore ka qenë infrastruktura e kullimit me një sistem të shekullit XIX, e cila bashkon ujin e përdorur nga kuzhinat dhe banjat, me ujërat e zeza nga tualetet. Në kohë normale kjo rrjedh përmes një kompleksi tunelesh nën rrugë drejt qendrave të trajtimit në periferi. Megjithatë kur ka shi të dendur, sistemi është i ngopur e teprica duhet që të derdhet në Senë.