Art & Kulturë Sociale

Për ata që nuk u rritën kurrë dhe vazhdojnë të ëndërrojnë!

23 vite nga krijimi, këtë 1 Qershor, festuam bashkë (shumica prej nesh) shtëpinë tonë të re, një vazhdim i traditës së Top Albania Radio-s dhe kanaleve të tjera muzikore të Top Media – Top Gold, My Music Radio, Melody TV.  Në sytë tanë kishte gëzim fëmije sepse në thelb këto studio nuk janë aq vendet tona të punës sa janë hapësira të argëtimit dhe adrenalinës – xhanëm njësoj si shprehja kemi zgjedhur një punë të cilën e dashurojmë dhe nuk na është dashur të ‘punojmë’ asnjë ditë.

Duke falenderuar besnikët e kanaleve tona, mbështetësit tanë përgjatë viteve, sot ndajmë me ju urimin për 20 vitet e ardhshme të qënit ‘On Top’ me shumë të reja njësoj të mëdha sa studiot (ato që shihni dhe nuk shihni), në mos edhe më. Top Albania Radio është rikthyer prej muajsh më e shndritshme se kurrë me informacionin, programet, Video & Audio Podcasts, një web plot informacion duke vazhduar të jetë jo vetëm një kanal radiofonik por një media e mirëfilltë audiovizive & e shkruar, sepse Top Radio është një stil jetese.

Veç kontributorëve tanë prej vitesh, në Radio nisin rrugën e tyre një brez i ri prezantuesish edhe DJ – e ardhmja e TAR, një Radio gjithëpërfshirëse, në plot kuptimin e fjalës. Për herë të parë ndër DJ tanë gjithmonë djem (shumica prej tyre e kanë nisur që adoleshentë) kemi një vajzë – ANKLOE. Dhe po ashtu për herë të parë në TAR një talent me aftësi ndryshe, Stenaldo, ose Steni siç i thërrasim në studio është pjesë e Top Albania-s, një zë që duket sikur ka gjithë jetën që prezanton në mikrofonin e radios.

Askush prej nesh nuk mund të parashikojë të ardhmen, por e ardhmja i përket atyre që besojnë se ëndërrat do t’i materializojnë, dhe punojnë fort për këtë – dhe ne patëm fatin ta mësonim këtë nga themeluesi i një ëndrre, që po vazhdojmë ta çojmë përpara, me të njëjtën dashuri e pasion.