Politikë

Presidenti Meta kërkon auditim të Albcontrol-it nga KLSH, reagon kryeministri Rama

Ashtu si një ditë më parë, as sot nuk munguan akuzat mes palëve politike për gjithçka ndodhi në Aeroportin e Rinasit.

Presidenti Meta i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, nisjen e auditimit të plotë në shoqërinë “Albcontrol”.

Nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar dhe veçanërisht rolit që ka “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me garantimin e shërbimeve për udhëtarët dhe qytetarët shqiptarë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta, i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë pa vonesë një auditim të plotë në shoqërinë “Albcontrol” mbi:
–  mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie;
–  respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese;
–  përdorimin e fondeve publike;
–  respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës, si dhe çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt dhe funksionimin normal të “Albcontrol”.

Presidenti Meta po ndjek nga afër dhe me vëmendje zhvillimet lidhur me menaxhimin e situatës në “Abcontrol” e në Aeroportin “Nënë Tereza” dhe i kërkon autoriteteve respektive të marrin të gjitha masat, për të mos vënë në rrezik sigurinë e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, për të rifilluar pa vonesë funksionimin e monitorimit ajror e të shërbimeve aeroportuale,  duke respektuar të drejtat dhe detyrimet reciproke, pa tejkaluar në mënyrë shproporcionale me reagimin e tyre, përgjegjësitë ligjore mbi këtë rast.

Presidenti i Republikës u bën thirrje për reflektim të gjithë aktorëve të përfshirë dhe është i gatshëm në çdo moment të thërrasë urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme.

Kryeministri Rama i mbetet qëndrimit se pas veprimeve të kontrollorëve të trafikut ajror qëndrojnë Meta dhe Berisha.

Më herët, Rama akuzoi Lulzim Bashën se hesht për Rinasin.

Basha një kukull që u afrohet njerëzve me fytyrë të buzëqeshur, që mendon se do e harrojnë njerëzit se sa herë ka prekur një punë ka bërë vetëm dëm. Një Xhaferr me kostum nusërie. Nuk votohet Lulzim Basha, po Saliu, Monika e Berisha, ky është vizioni dhe qasja e tyre ndaj shtetit që e trajtojnë si plaçkë. Logjikë çetash, piratësh, sulm, siç sulmuan të gjithë Shqipërinë.

Por për situatën e krijuar në aeroport, sot nga Lushnja, kryedemokrati Basha bëri përgjegjës kryeministrin Rama.