Politikë

Presidenti Meta takon deputetin gjerman të CDU/CSU: Të nisin negociatat e anëtarësimit në BE

Presidenti Ilir Meta është takuar këtë të martë me deputetin dhe njëkohësisht kryeraportuesin për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman, Peter Beyer.

Në një status në rrjetin social “Facebook”, Meta shkruan se gjatë bashkëbisedimit me Beyer, ka folur për rëndësinë që ka marrja e një vendimi sa më parë për nisjen e negociatave të anëtarësimit të vendin tonë në Bashkimin Europian.

“E falenderova për angazhimin e madh dhe të sinqertë që ka patur Grupi Parlamentar i CDU/CSU, si dhe në tërësi Bundestagu gjerman për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Përkushtimi i tyre për të mbështetur demokracinë e vërtetë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri si element përcaktues në procesin tonë të anëtarësimit në BE meriton vlerësim të veçantë, duke i shërbyer plotësisht qëllimit për të arritur transformimin e vendit drejt standardeve europiane. Theksova gjithashtu rëndësinë që ka marrja e një vendimi sa më parë për nisjen e negociatave të anëtarësimit, me rëndësi strategjike për politikën e zgjerimit dhe për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor“, shkruan Meta.